Orientimi perëndimor forcohet, 7 nga 10 qytetarë duan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

featured
Press Online
28 Janar 2026, 13:33

Mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ka arritur në 71 për qind, sipas anketës më të fundit të realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” (IDSCS), e cila u prezantua sot në Kuvend, informon PressOnline.al

Sipas rezultateve, Bashkimi Evropian vazhdon të perceptohet si partneri më i besueshëm i vendit, veçanërisht në një periudhë të pasigurisë së politikës së Shteteve të Bashkuara. Hulumtimi tregon gjithashtu se është rritur numri i qytetarëve që e shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të Perëndimit, pas dilemave të viteve të kaluara për një orientim të mundshëm drejt Lindjes.

Drejtori i Institutit, Marko Troshanovski, theksoi se bëhet fjalë për një rritje të konsiderueshme të mbështetjes për BE-në, sidomos për shkak të ndryshimit të qëndrimeve brenda komunitetit maqedonas.

Në të njëjtën kohë, ka rënë për tetë për qind numri i qytetarëve që mendojnë se vendi ka bërë mjaftueshëm në procesin e integrimit evropian dhe se nuk ka më nevojë për hapa shtesë.

Troshanovski vlerësoi se pritjet për ndryshimin e kushteve që lidhen me ndryshimet kushtetuese janë joreale dhe u bëri thirrje partive politike të fokusohen menjëherë në reformat e nevojshme.

“Nuk kemi më justifikime për zgjidhje të caktuara ligjore. Kjo është detyra jonë e vetme e shtëpisë. Çdo gjë tjetër është kohë e humbur dhe politikë e humbur”, tha ai, përcjell PressOnline.al

Megjithëse kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese mbetet i fortë, Troshanovski theksoi se status quo-ja dëmton të gjitha palët, mbi të gjitha qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Është koha t’i shtrijmë dorën fqinjit tonë bullgar, të respektojmë interesat e tyre dhe të kërkojmë një zgjidhje në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi ai.

Sipas anketës, mbështetja për Bashkimin Evropian është rritur me gati 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa trend pozitiv është regjistruar edhe te përkrahësit e VMRO-DPMNE-së, çka, sipas vlerësimeve, lidhet me ardhjen e kësaj partie në pushtet.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter