Aktori Quinton Aaron, i njohur për rolin e Michael Oher në filmin fitues të Oscarit “The Blind Side” (“Historia e një kampioni”), po kalon një nga betejat më të vështira të jetës së tij. 41-vjeçari ndodhet i shtruar në spital në Atlanta dhe është i lidhur me aparate, pasi po trajtohet për një infeksion të rëndë të gjakut.
Sipas menaxherit të tij, Aaron u rrëzua në shtëpinë e tij teksa po ngjitej shkallëve, kur këmbët iu dobësuan papritur. Pas incidentit, ai u dërgua me urgjencë në spital, ku ka kaluar tre ditët e fundit nën kujdes intensiv, ndërsa mjekët vijojnë analizat për të përcaktuar shkakun e saktë të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Për shkak të shpenzimeve të larta mjekësore, familja dhe miqtë e aktorit kanë hapur një fushatë GoFundMe, duke theksuar barrën e madhe emocionale dhe financiare me të cilën po përballen. Organizatorët u kanë bërë thirrje njerëzve që ta mbështesin Aaron me lutje dhe ndihmë financiare.
Ky incident vjen vetëm disa muaj pasi aktori kishte humbur rreth 90 kilogramë, ndërsa në të kaluarën ka pasur edhe probleme serioze shëndetësore, përfshirë shtrime urgjente në spital për infeksione dhe komplikime të frymëmarrjes.
Quinton Aaron u bë i famshëm në vitin 2009 me rolin e tij në “The Blind Side”, ku luajti përkrah Sandra Bullock, e cila fitoi çmimin Oscar për interpretimin e saj.
Filmi rrëfen historinë e vërtetë të sportistit Michael Oher dhe u kthye në një nga sukseset më të mëdha kinematografike të asaj periudhe.


