BE kërkon reforma, Qiproja inkurajon RMV-në në rrugën evropiane

featured
Press Online
26 Janar 2026, 19:04

Qiproja, e cila udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian në këtë gjashtëmujor, shpreh mbështetje të qartë për vazhdimin e procesit të eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut. Ambasadori qipriot në Shkup, Andreas Fotiu, theksoi se zgjerimi i BE-së dhe përforcimi i Unionit përmes sigurisë janë prioritete kyçe të presidencës së Qipros.

Duke prezantuar programin e presidencës, Fotiu nënvizoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin rajonal dhe theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet pjesë e rëndësishme e procesit zgjerues të Bashkimit Evropian.

“Qiproja është e përqendruar në krijimin e dialogut të rregullt me partnerët nga Ballkani Perëndimor. Maqedonia e Veriut mbetet një aktor i rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa presidenca jonë e njeh angazhimin e saj në reforma dhe përputhshmërinë me vlerat evropiane, duke inkurajuar hapat e mëtejmë,” – deklaroi ambasadori Fotiu, përcjell PressOnline.al

Zv.kryeministri i parë dhe ministri për Eurointegrime, Bekim Sali, vlerësoi se integrimi evropian nuk është thjesht proces burokratik, por zgjedhje strategjike që duhet të bashkojë të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë.

“RMV-ja është e gatshme t’i përmbushë obligimet, t’i zbatojë reformat dhe të kontribuojë në përgjigjet evropiane ndaj sfidave të përbashkëta. Ky është një moment që as ne, as Bashkimi Evropian nuk guxojmë ta humbim,” – tha Sali.

Në anën tjetër, Kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe, kritikoi qeverinë për mungesë vullneti politik, veçanërisht për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk ka vullnet për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë mënyra e vetme për vazhdimin e negociatave dhe hapjen e klasterëve. Premtimet për rinegocim nuk po realizohen,” – u shpreh Filipçe.

Kritika të ashpra adresoi edhe deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, duke theksuar shkeljen e të drejtave të qytetarëve dhe zvarritjen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Në çdo aspekt jemi në letargji, pa reforma konkrete dhe pa angazhim serioz. Qeveria vepron pa plan dhe pa vizion,” – deklaroi Snopçe.

Ndërkohë, Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski, kërkoi nga Qiproja që gjatë mandatit të saj udhëheqës të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të transportuesve nga rajoni, në përputhje me Planin e Rritjes dhe integrimin e përbashkët në tregun e vetëm evropian.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter