Infokusi Ish-shefi I Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka folur për lidhjen e tij të veçantë me Reçakun, jetën personale dhe nderimet që ka marrë ndër vite, në një intervistë për emisionin InfoTalks në Infokus.
Ai tha se emri i tij tashmë është i pandashëm nga Reçaku, duke theksuar se kjo lidhje ka ndikuar edhe në jetën e tij familjare.
“Dua që trupi im të prehet në Reçak. Dhe gjithmonë them të njëjtën gjë. E di që emri im lidhet me Reçakun, tani nëse familja ime do ta donte këtë do të duhej të vinin me një fluturim dhjetë orësh për ta parë babanë e tyre… nuk e di, por gruaja ime me të cilën jam martuar që prej një viti cila është data e sotme?”, ka thënë Walker.
Duke folur për jetën personale, Walker tregoi se është i martuar prej një viti dhe se përvjetori i parë i martesës së tij përkon vetëm disa ditë pas intervistës.
Ai theksoi mirëkuptimin e bashkëshortes së tij, e cila ka vizituar Kosovën dy herë dhe e kupton domethënien që Reçaku ka për të, por edhe rolin që ai vetë ka për këtë vend.
“Pas tre ditësh do ta kem përvjetorin tim të parë, e dini, kur ia përmenda këtë, mendova se mund të thoshte… por ajo u pajtua. Ajo ka qenë këtu dy herë, ajo e ka parë se çfarë do të thotë Reçaku për mua, dhe çfarë rëndësie kam unë për Reçakun.
Më poshtë ndiqni videon e plotë të intervistës së realizuar të datës 26 janar 2025:
https://www.youtube.com/watch?v=qslQa1I1e9o







