Mickoski, Kasami, Ahmeti dhe Apasiev në një tryezë historike: Diskutime të hapura për ligjet, integrimin në BE dhe të ardhmen e institucioneve
Në një zhvillim të paprecedentë për skenën politike të Maqedonisë, liderët kryesorë të partive politike u takuan sot për një tryezë që shënoi përpjekjen më serioze në dekadat e fundit për dialog të hapur dhe konstruktiv. Takimi, i organizuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, solli diskutime për një sërë çështjesh kritike, përfshirë miratimin e Ligjit për Kundërvajtje dhe hyrjen në funksion të sistemit “Safe City”, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të ardhmen e Qeverisë Teknike dhe sigurimin e shumicës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, raporton PressOnline.al
Mickoski: Një diskutim konstruktiv dhe dakordësi për ligjet e rëndësishme
Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, e vlerësoi takimin si të frytshëm dhe historik:
“Dita e sotme shënoi një mënyrë të re të qasjes për zgjidhjen e çështjeve të hapura. Shumica e temave për të cilat diskutuam gjetëm të njëjtin mendim. Mendoj se arritëm një kompromis për Ligjin për Kundërvajtje, duke siguruar që sistemi ‘Safe City’ të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti, ashtu siç ishte paralajmëruar. Për këtë ligj nuk kemi nevojë për shumicën e Badenterit, gjë që e bën zbatimin më të shpejtë dhe efikas,” tha Mickoski.
Ai shtoi se për qytetarët ishte e rëndësishme të shihnin një qasje të re nga liderët politikë:
“Për qytetarët, sidomos në këtë periudhë festash, është sinjal pozitiv të shohin një sjellje më të matur, konstruktive dhe të orientuar drejt zgjidhjeve, jo krijimit të problemeve.”
VLEN dhe Bilall Kasami: Dakordësi dhe kërkesë për shfuqizimin e Qeverisë Teknike
Përfaqësuesi i VLEN, Bilall Kasami, vlerësoi konstruktivitetin e diskutimeve dhe nënvizoi çështjet e qeverisë teknike:
“I gjithë takimi shkoi në mënyrë konstruktive. Diskutuam për të gjitha temat e hapura, përfshirë edhe shfuqizimin e Qeverisë Teknike. Ne mendojmë që kjo zgjidhje e përkohshme të largohet dhe të implementohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Po ashtu, diskutuam ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke përfshirë mundësitë për diasporën dhe listat e hapura, ndërsa disa pika mbeten për diskutime të mëtejshme.”
Ali Ahmeti: Integrimi në BE mbetet prioritet, konsultime ndërkombëtare për Qeverinë Teknike
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, përmendi rëndësinë e integrimit evropian dhe nevojën për konsultime ndërkombëtare:
“Integrimi në BE mbetet prioritet kyç për vendin. Sa i përket Qeverisë Teknike, do të konsultohemi me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në. Për Kodin Zgjedhor, ne pajtohemi me një zonë zgjedhore, prag prej 5% dhe lista të hapura. Sa i përket Avokatit të Popullit, kërkohen konsultime shtesë për të gjetur një zgjidhje konsensuale.”
Ahmeti gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjidhjeve të shpejta për çështjet që prekin besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Dimitar Apasiev: Kërkesa për viktimat e Koçanit mbeti pa përgjigje
Kreu i partisë E Majta, Dimitar Apasiev, u shpreh se, edhe pse takimi ishte konstruktiv, disa çështje nuk u morën parasysh:
“Për herë të parë, biseduam në këtë përbërje dhe trajtuam shumë tema, përfshirë Kodin Zgjedhor dhe njësi zgjedhore. Unë kërkova dëmshpërblim për familjarët e viktimave të Koçanit, por kjo kërkesë hasi në vesh të shurdhër dhe nuk u pranua nga pjesëmarrësit e tjerë.”
LSDM: Pjesëmarrja legjitimon korrupsionin
Nga ana tjetër, LSDM kritikoi pjesëmarrësit e takimit: “Kushdo që merr pjesë në takim legjitimon krimin dhe korrupsionin. Pjesëmarrësit bëhen bashkëfajtorë në legjitimimin e korrupsionit të koalicionit VMRO-DPMNE–ZNAM, në fushatën anti-BE dhe në planin për zgjedhje të parakohshme pa kushte për zgjedhje të drejta.”
Takimi i sotëm tregon një përpjekje të rrallë për dialog konstruktiv mes liderëve politikë në Maqedoni. Ndërsa u arrit dakordësi për disa çështje të rëndësishme, si Ligji për Kundërvajtje dhe “Safe City”, debatet mbi Qeverinë Teknike, Kodin Zgjedhor dhe Avokatin e Popullit mbeten të hapura, duke sinjalizuar se procesi i dialogut politik do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.(PressOnline.al)


