Nga Destan JONUZI
Në Maqedoninë e Veriut, debati publik i ngjan një skene teatri ku aktorët ndryshojnë kostumet, por jo tekstin. Skenografia mbetet e pandryshuar: politika ditore, përplasjet etnike, deklaratat identitare që riciklohen me një përpikëri pothuajse rituale. Ndërkohë, pas perdes, aty ku realisht përcaktohet cilësia e jetës së qytetarëve, sundon një heshtje e zhurmshme për ekonominë, mirëqenien sociale dhe buxhetin e shtetit. Është një paradoks i rrezikshëm, flasim me pasion për atë që na ndan simbolikisht, por rrallë për atë që na varfëron realisht.
Çështjet ekonomike trajtohen si temë dytësore, gati teknike, e rezervuar për raporte zyrtare dhe konferenca monotone, ndërsa temat politike dhe etnike shndërrohen në spektakël të përditshëm. Buxheti i shtetit, dokumenti më politik në kuptimin më substancial të fjalës, rrallë bëhet objekt debati serioz publik. Ai kalon si formalitet, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë pasivë të një procesi që përcakton drejtpërdrejt jetën e tyre.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk vuajnë nga mungesa e identitetit kombëtar. Përkundrazi, ata janë thellësisht të vetëdijshëm për përkatësinë e tyre etnike dhe shpesh krenarë për të. Problemi është se “fukaralleku” ka bërë që qytetarët të mos ndihen krenarë për shtetin e tyre. Sepse krenaria për shtetin nuk lind nga deklaratat patriotike, por nga dinjiteti social.
Është e vështirë të ndërtosh ndjenjë përkatësie ndaj një shteti që nuk arrin të sigurojë paga dinjitoze, shërbime publike cilësore dhe perspektivë për të rinjtë. Kur varfëria bëhet përvojë e përbashkët, shteti pushon së qeni burim krenarie dhe shndërrohet në sinonim të mbijetesës. Qytetari nuk e sheh më shtetin si partner social, por si administratë të largët që ekziston kryesisht për të mbledhur taksa dhe për të prodhuar premtime.
Në këtë realitet, retorika mbi “patriotizmin” mbetet strehë psikologjike. Ai nuk kërkon llogari financiare, nuk dështon në ofrimin e shërbimeve dhe nuk zhgënjen në fund të muajit. Kështu, krenaria etnike shndërrohet në kompensim për mungesën e sigurisë ekonomike. Dhe këtu fillon deformimi i diskursit publik: sa më i varfër qytetari, aq më i zhurmshëm debati identitar maqedonas.
Elitat politike e kanë kuptuar këtë mekanizëm në mënyrë perfekte. Një shoqëri e mobilizuar rreth emocioneve identitare është më e lehtë për t’u menaxhuar sesa një shoqëri që kërkon llogari për buxhetin, pagat, pensionet dhe politikat sociale. Prandaj, tensionet politike dhe etnike shërbejnë si perde tymi, pas së cilës fshihet mungesa e vizionit ekonomik dhe dështimi i modelit social.
Ironia është se në një vend ku standardi i jetesës mbetet i ulët dhe emigrimi vazhdon të shihet si zgjidhje, debati publik rrallë përqendrohet te shifrat, politikat fiskale apo prioritetet buxhetore. Diskutojmë më shumë për Goce Dellçevin sesa për substancën. Për Bullgarinë, por jo për bilancet. Për identitetin, por jo për dinjitetin social. Sikur Goce Dellçevi të mund të paguajë faturat dhe të mbajë familjet.
Pyetja themelore nuk është se kush jemi, por si jetojmë. Një shtet që nuk arrin ta shndërrojë identitetin në mirëqenie dhe retorikën në politika sociale funksionale, nuk mund të presë qytetarë që të ndihen krenarë për të. Sepse krenaria e vërtetë ndaj shtetit nuk ndërtohet me fjalime solemne, por me jetë dinjitoze.
Deri atëherë, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të prodhojë qytetarë krenarë për kombësinë e tyre, por skeptikë ndaj shtetit të tyre. Dhe ky është ndoshta treguesi më i qartë se problemi ynë nuk është identitar, por thellësisht social dhe ekonomik.(PressOnline.al)




