Gati gjysmë miliardi euro më pak të ardhura janë mbledhur në buxhet krahasuar me planin për vitin e kaluar. Shkakun për këtë, ministrja Koçoska e lokalizoi te institucionet shtetërore, të cilat nuk kanë arritur t’i arkëtojnë të ardhurat e veta, informon PressOnline.al
Interesant është fakti se Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka arkëtuar mjetet nga kontributet, ndërsa në Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) janë derdhur më pak mjete. Pse ka ndodhur kjo – nëse nuk është paguar kontributi për pension, ende do të analizohet. Janë arkëtuar gjithashtu më pak të ardhura nga lojërat e fatit, si dhe nga akcizat.
“Kjo do të thotë se edhe vetë ‘pronarët’ nuk i kanë mbledhur të ardhurat e tyre, pra institucionet që kanë llogari të veta. Akcizat janë e vetmja kategori që është arkëtuar më dobët, por nuk e di pse kjo na habit; kush mund ta parashikonte se, edhe pas asaj që po ndodh në Venezuelë, çmimet e naftës do të mbeteshin të ulëta? Unë jo. E shihni që gjatë gjithë vitit çmimi i naftës ka qenë në një nivel shumë të ulët”, deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, përcjell PressOnline.al
Megjithatë, Koçoska shprehet e kënaqur me mënyrën se si ka përfunduar arkëtimi i taksave. Me këto mjete mbulohet boshllëku në FSPI, por edhe shpenzime të tjera.
Tani plani është që në vitin 2026 të mblidhen mbi 12 për qind më shumë të ardhura në arkën shtetërore. Që kjo të ndodhë, Koçoska shpreson në uljen e përqindjes së punës në të zezë – një çështje për të cilën flitet vazhdimisht, por që ende nuk po realizohet.
“Po punojmë për ndryshime në shumë ligje, duke filluar nga Ligji për TVSH-në, ku ende nuk i kemi marrë raportet nga FMN-ja, të cilët kanë punuar në analizë. Ata thonë se lehtësimet tatimore në shtet arrijnë në 4.75 për qind të PBB-së, që do të thotë se janë shumë të larta; ndërkohë vitin e mbyllëm me deficit prej 4 për qind”, shton Koçoska.
Në vitin 2025, parashikimet në buxhet ishin që të mblidheshin rreth 6 miliardë euro, por sipas treguesit të Ministrisë së Financave, deri më 31 dhjetor janë arkëtuar 5.4 miliardë euro, ose 470 milionë euro më pak.
Kjo do të thotë se realizimi është pak mbi 92 për qind dhe, sipas analizave, ky është niveli më i ulët i realizimit në dhjetë vitet e fundit.(PressOnline.al)


