Në një intervistë të dhënë për gazetën Marca, sulmuesi argjentinas Julian Alvarez ka deklaruar se nuk e shqetëson aspak fakti që emri i tij lidhet vazhdimisht me Barcelonën.
Megjithatë, menjëherë pas kësaj, ai theksoi se për momentin është i përqendruar tërësisht te Atletico Madrid.
Prej muajsh, shumë media e kanë përmendur Alvarezin si kandidat ideal për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili pritet të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni.
I pyetur sërish për këto spekulime, “La Arana” u shpreh se nuk e bezdisin thashethemet, por shtoi se nuk u kushton shumë vëmendje.
“Nuk më shqetëson. Mundohem të mos lexoj shumë, por e di që flitet shumë në rrjetet sociale. Mendoj se është më shumë ajo që thuhet sesa ajo që ndodh realisht. Unë jam i fokusuar te ky sezon dhe te ajo që kemi përpara me Atletico Madrid”.
Gjatë intervistës së gjerë për Marca, sulmuesi nënvizoi edhe potencialin e skuadrës së Diego Simeones, duke e konsideruar Atleticon të aftë të luftojë për të gjitha trofetë.




