Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Rusia ka tashmë avantazhin ushtarak në luftën kundër Ukrainës dhe akuzoi liderët evropianë se “flasin shumë pa prodhuar rezultate konkrete”.
I pyetur nëse Ukraina e ka humbur tashmë luftën, Trump u referua sipërfaqeve të mëdha të territorit që forcat ruse kanë pushtuar.
“Rusia është në epërsi. Dhe gjithmonë ka qenë. Është shumë më e madhe dhe më e fuqishme. Kam respekt të madh për popullin dhe ushtrinë ukrainase për guximin e tyre, por në një moment madhësia fiton dhe këtu flasim për një madhësi të jashtëzakonshme,” tha Trump.
Ai nënkuptoi se për shkak të përmasave të ushtrisë ruse, fitorja e Moskës në konflikt është pothuajse e pashmangshme.
“Ukraina ka humbur territor shumë kohë përpara se unë të vija këtu. Humbën një brez të tërë bregdeti, tokë të mirë bujqësore. Kjo nuk mund të quhet fitore,” shtoi presidenti amerikan.
Megjithëse Rusia ka shënuar përparime tokësore, lufta ka pasur kosto kolosale ekonomike dhe njerëzore, me më shumë se 1.5 milionë ushtarë të vrarë ose të plagosur nga të dyja palët, sipas vlerësimeve perëndimore.
Pavarësisht kësaj, pothuajse katër vjet pas nisjes së pushtimit të gjerë, Vladimir Putin ende nuk e kontrollon të gjithë rajonin e Donbasit një konflikt që llogariste ta përfundonte brenda pak ditësh.









