Sezoni i pestë i “Stranger Things” ka shënuar debutimin më të madh ndonjëherë për një serial anglisht në platformë, duke mbledhur 59.6 milionë shikime në pesë ditët e para. Ky start i fuqishëm e ngjit menjëherë serialin në podiumin historik të Netflix-it, ku pozicionohet si debutimi i tretë më i madh i të gjitha kohërave i tejkaluar vetëm nga dy sezonet e “Squid Game”. Rritja krahasuar me sezonin e katërt është e jashtëzakonshme. Në vitin 2022, Netflix mati shikimin me orë të shikuara dhe sezoni 4 u publikua me 287 milionë orë – rreth 22 milionë shikime sipas konvertimeve të sotme. Sezoni 5 shënoi një rritje prej 171%, edhe pse kishte dy ditë më shumë matje.
Atmosfera për nisjen ishte aq e madhe, saqë një ditë para premierës të gjitha sezonet e mëparshme u futën në Top 10 – një rekord i padëgjuar për një serial të vetëm. Trafiku i lartë madje e ngriu platformën për pak minuta, pavarësisht se Netflix kishte rritur kapacitetin e rrjetit me 30%, sipas rrëfimit të Ross Duffer. Publiku kthehet sërish në Hawkins, Indiana, por këtë herë me një kërcim në kohë, për të reflektuar rritjen e aktorëve të dikurshëm fëmijë. Millie Bobby Brown, Finn Wolfhard, Sadie Sink, Gaten Matarazzo, Caleb McLaughlin dhe gjithë emrat që e bënë serialin fenomen global rikthehen në rolet e tyre, krahas Winona Ryder dhe David Harbour.
Sezoni final është zhvilluar për tre vite dhe vjen me paralajmërimet e Duffer-ëve për “vdekjen më të dhunshme të serialit deri më sot”. Kritika e parë nga The Guardian e vlerëson episodin e katërt – një kapërcim 90-minutësh efektesh speciale, tensioni dhe spektakli. “Stranger Things 5” do të mbyllet brenda këtij muaji, me tre episode të reja në Ditën e Krishtlindjes, ndërsa finalja e madhe transmetohet më 31 dhjetor.



