Historia e Can Yaman duket si skenar filmi. Aktori që sot po pushton televizionin italian me serialin Sandokan, dikur ishte avokat në Stamboll. Edhe pse kishte mbaruar studimet në Drejtësi me rezultate të shkëlqyera, jeta para kompjuterit nuk e bënte aspak të lumtur.

Në moshën 24-vjeçare ai mori një vendim të guximshëm: hodhi pas krahëve karrierën juridike dhe iu përkushtua aktrimit.
Fillimet i pati në serialet turke që më pas u bënë hite edhe në Itali, si Bittersweet, Ingredienti d’Amore dhe Day Dreamer, Le ali del sogno.
Sot, Can është ylli kryesor i Sandokan, që transmetohet nga 1 dhjetori në RaiUno. Krahasimet nga fansat nuk mungojnë, disa e shohin si pasardhës të Kabir Bedi nga versioni origjinal i serialit, ndërsa të tjerë i gjejnë ngjashmëri me Johnny Depp në rolet e tij si pirat.

Në këtë adaptim të ri, ngjarjet zhvillohen në Borneo të vitit 1841, mes betejave kundër kolonizimit. Për t’u futur në karakter, aktori është përgatitur intensivisht: ka humbur 10 kilogramë, ka marrë leksione për kalërimin dhe ka studiuar skenarin në anglisht. Në versionin italian, zëri i tij dublohet nga Adriano Giannini.
Can Yaman njihet për disiplinën e hekurt dhe kërkesat e larta që vendos si për veten, ashtu edhe për ekipin me të cilin punon. Ai flet disa gjuhë dhe aktualisht po mëson spanjisht për një projekt të ri ndërkombëtar.

Pak të dinë që aktori ka origjinë shqiptare e kosovare. Gjyshërit e tij u shpërngulën nga Kosova gjatë luftës dhe u vendosën në Turqi, ndërsa Can u rrit në Stamboll në një komunitet të mbushur me emigrantë të gjeneratës së dytë e të tretë, ku gjuha shqipe dëgjohej shpesh.

Ai ka frekuentuar shkollën italiane dhe që në adoleshencë ka udhëtuar në qytete si Livorno, Padova, Siena dhe Bologna, vende që e kanë formuar artistikisht.
Edhe pse bukuria i ka hapur shumë dyer, Can është përballur edhe me sfida dhe ka mësuar të ruajë privatësinë, pavarësisht vëmendjes së madhe. Aktualisht ai është në një lidhje me modelen me origjinë algjeriane, Sara Bluma.

Ambicia e tij nuk ndalet: aktori kërkon role të reja dhe të ndryshme, madje dëshiron të provojë edhe komedinë për të treguar se është shumë më tepër sesa një fytyrë e bukur.
Në pak vite, Can Yaman është shndërruar nga një avokat i pakënaqur në një nga figurat më të kërkuara të ekranit italian, dhe fansat presin vetëm surpriza të reja.



