Tymi i së kaluarës

featured
0
Shpërndaje

Në partitë shqiptare, gjenerata e vjetër vazhdon të funksionojë sipas rregullave të veta të njohura: çdo vendim politik mbyllet në dhoma të fshehta, çdo marrëveshje bëhet larg syve të publikut, dhe çdo privilegj ndahet nëpër lidhje personale. Çaji nuk është thjesht një pije; është rituali që vulos marrëveshjet dhe ndërton “besën” që nuk duhet sfiduar

Nga Destan JONUZI

Brenda partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një betejë që nuk shfaqet në ekranet televizive, por ka pasoja të thella për të ardhmen e komunitetit dhe për gjeneratat që do të vijnë. Është përplasje midis dy universesh: gjenerata që beson se politika është një lojë muhabeti, çaji dhe tymi i duhanit nëpër oda, dhe brezi i ri që kërkon argument, transparencë dhe rezultate konkrete, duke përdorur çdo mjet modern që mund të sjellë teknologjia dhe shkenca.

Gjenerata e vjetër është e bindur se çdo vendim politik i rëndësishëm duhet të mbyllet në dhoma të fshehta. Aty vendoset koalicioni, aty bëhen marrëveshjet, aty ndahen privilegjet. Transparenca është luks, llogaridhënia është fantazi, dhe çdo kritikë jashtë odave shihet si “sulm ndaj eksperiencës”. Çdo tentativë për ndryshim konsiderohet rebelim i rrezikshëm dhe shpesh i padenjë. Për ta, politika është një terren i njohur ku miqësitë, urdhrat dhe pazaret personale kanë më shumë peshë se ligji apo morali publik.

Nga ana tjetër, brezi i ri hyn në politikë me një mentalitet tërësisht tjetër. Për ata, politika nuk është pronë personale, por një mekanizëm shërbimi publik. Analizat, statistikat, raportet e qarta dhe transparenca nuk janë luks – janë detyrë morale dhe profesionalizëm. Ata përdorin teknologjinë për të menaxhuar informacionin, për të monitoruar proceset dhe për të krijuar mekanizma kontrolli që janë të pandryshueshëm nga interesat personale. Shkenca, studimet empirike dhe metodologjitë moderne janë vegla për të marrë vendime të bazuara në fakte, jo në zakon apo traditë. Për ta, çdo marrëveshje që nuk publikohet dhe çdo vendim pa argument është thjesht teatrik dhe qesharak. Dhe ndonjëherë edhe tragjik.

Dallimet konceptuale midis gjeneratave janë të thella. Gjenerata e vjetër funksionon në bazë të përvojës së ndërtuar nga marrëveshjet informale dhe intuita e tyre sociale. Brezi i ri sheh botën si një sistem të ndërlikuar ku çdo vendim duhet të verifikohet, matet dhe analizohet. Ata nuk besojnë tek autoriteti i thjeshtë; autoriteti duhet të meritohet dhe të provohet përmes rezultateve konkrete. Teknologjia dhe shkenca nuk janë vetëm mjete – janë ideja se politika mund të menaxhohet racionalisht dhe profesionalisht, jo vetëm të interpretohet sipas logjikës së odës.

Konflikti mes këtyre dy botëve nuk është vetëm ideologjik; është filozofik dhe metodologjik. Gjenerata e vjetër flet për traditën dhe eksperiencën, ndërsa realiteti tregon se shumica e kësaj “eksperiencë” është thjesht një arkiv i klientelizmit, interesave personale dhe manipulimeve të fshehta. Brezi i ri sheh këtë farsë dhe qesh – ose ndonjëherë qajnë – për absurditetin që përfaqësojnë “odat e çajit”.

Ironia është se partitë shqiptare kanë në dorë të ardhmen e tyre, por shpesh e shohin atë vetëm përmes prizmit të së kaluarës. Ata që refuzojnë të integrojnë brezin e ri dhe të përqafojnë teknologjinë, shkencën dhe mendimin kritik do të bëhen një muze politik: i hapur për kritikët, historianët dhe votuesit e zhgënjyer që nuk kanë më durim të presin. Koha nuk pret askënd, dhe ata që e injorojnë realitetin do ta kuptojnë kur të jetë shumë vonë.

Dilema është e qartë dhe e paevitueshme, ose partitë shqiptare modernizohen, pranojnë transparencën, llogaridhënien, mendimin kritik dhe teknologjinë si pjesë të politikës së tyre, ose do të mbeten një farsë nostalgjike, një teatër i së shkuarës, ku çaji dhe odat do të vazhdojnë të jenë më të rëndësishëm se votuesit dhe politika e vërtetë.

Beteja nuk është për protagonizëm personal; është për drejtimin e ardhshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa “çajtorja” vazhdon të gatuajë intrigat e saj, brezi i ri po përgatitet të ndërtojë një politikë ku fjala, përgjegjësia, rezultati dhe shkenca nuk janë thjesht dekor, por baza e një shoqërie të qëndrueshme dhe funksionale.

Tymi i së kaluarës
+ - 0

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen