Nga viti 2020 deri në vitin 2024, në Maqedoni u raportuan 508 raste të dhunës seksuale dhe ngacmimit ndaj fëmijëve, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Viktimat heshtin, të rriturit përreth tyre nuk e kuptojnë gjithmonë se diçka po ndodh. Parandalimi është çelësi kur fëmijët i dinë të drejtat e tyre dhe të rriturit dinë si të reagojnë dhe ku ta raportojnë.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve ndodh në shumë forma, por rrallë raportohet, deklarojnë autoritetet.
“Këto përfshijnë abuzimin seksual, pornografinë e fëmijëve, shfrytëzimin seksual, ngacmimin në internet. Në shumicën e rasteve, autori i krimit njihet nga fëmija dhe në disa raste ka fituar besim të madh tek fëmija”, tha Barbara Ligl, udhëheqëse e komponentit të të drejtave themelore dhe të njeriut të projektit Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit.
Edhe pse problemi është i përhapur në vendet evropiane, në Maqedoni, asnjë ankesë e vetme nuk është paraqitur në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për ngacmimin seksual të fëmijëve.
“Komisioni nuk ka marrë asnjë raport për ngacmim seksual deri më tani. Mendoj se ndërgjegjësimi është ende i ulët dhe ekziston frika nga raportimi”, tha Dushan Tomshiq, kryetar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Komisioni thotë se kjo nuk do të thotë se nuk ka raste, por se fëmijët dhe prindërit ende nuk kanë ndërgjegjësim të mjaftueshëm për të njohur ngacmimin seksual, as besim se institucionet do të reagojnë në mënyrë të përshtatshme.
“Statistikat janë të dhimbshme dhe të vështira, por ato nuk duhet të mbeten vetëm numër. Pas çdo fëmije është një emër, familje dhe besim tek të rriturit. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka për të siguruar që ky besim të mos shkelet kurrë”, thotë Dushan Tomshiq, kryetar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Për të inkurajuar fëmijët të raportojnë dhunën, fillon një fushatë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin publik. Qëllimi është të inkurajohen fëmijët të flasin hapur dhe t’u ofrohen të rriturve mjete për parandalim dhe mbrojtje. Fushata po zbatohet nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi së bashku me Avokatin e Popullit dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe lë pasoja për të gjithë jetën. “Parandalimi nuk është vetëm një rekomandim, por detyrim – për të krijuar mjedise të sigurta, për të inkurajuar të rriturit të njohin shenjat e rrezikut dhe për të inkurajuar fëmijët të flasin hapur dhe të kërkojnë ndihmë”, shton Tomshiq.
Si pjesë e fushatës, janë prodhuar video, postera dhe materiale që do të shpërndahen në të gjitha shkollat dhe kopshtet për të rritur ndërgjegjësimin midis mësuesve, shërbimeve profesionale dhe prindërve.
Zyra e Avokatit të Popullit thekson se fëmijët viktima të dhunës shpesh përballen me një traumë të dyfishtë – nga vetë dhuna dhe nga reagimi i pandjeshëm institucional. Prandaj, ata po bëjnë thirrje për protokolle më të mira, procedura miqësore për fëmijët dhe koordinim midis të gjitha shërbimeve kompetente.
Një në pesë fëmijë në Evropë është viktimë e një forme të dhunës seksuale – nga abuzimi seksual, pornografia e fëmijëve, shfrytëzimi seksual, deri te abuzimi në internet dhe ngacmimi nga bashkëmoshatarët.
Ndryshe, rasti më i fundit i abuzimit seksual të një fëmije në Maqedoninë e Veriut ishte sot. Një 23 vjeçar nga Shkupi kishte dhunuar seksualisht një 5 vjeçare dhe e kishte kërcënuar që të mos i tregonte prindit të saj.



