Rusia është gati të rifillojë negociatat e paqes me Ukrainën në Stamboll, tha sot agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS – duke cituar një zyrtar të ministrisë së Jashtme.
Midis dy palëve nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë që kur u takuan në qytetin turk më 23 korrik.
Sipas TASS, zyrtari rus, Alexei Polishchuk tha se Turqia kishte kërkuar vazhdimisht një rifillim të negociatave të paqes.
“Ekipi rus është gati për këtë, topi është në fushën e Ukrainës”, tha ai.
Ukraina ka hedhur poshtë pretendimet e Kremlinit se ajo është fajtore për procesin e bllokuar të paqes, ndërsa lufta po i afrohet fundit të vitit të katërt.
Në takimin e 23 korrikut, i cili zgjati vetëm 40 minuta, pala ukrainase propozoi një takim në gusht midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Kremlini më pas tha se Putini ishte i gatshëm të takohej me Zelensky, por vetëm në Moskë – një kusht i refuzuar nga Kievi.



