Komisioni Evropian njoftoi sot se ka hapur një hetim për të zbuluar nëse Google ka diskriminuar në mënyrë të paligjshme median dhe botuesit e lajmeve në rezultatet e kërkimit.
Drejtoria ekzekutive e BE-së tha se hetimi është nisur për të vlerësuar nëse gjiganti amerikan i teknologjisë zbaton kushte të drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese ndaj faqeve të botuesve në Google Search, siç kërkohet nga Ligji për Tregjet Digjitale (DMA).
Rasti lidhet veçanërisht me një politikë të Google, sipas së cilës përmbajtja e botuesve mund të renditet më poshtë në rezultatet e kërkimit nëse faqet e tyre përmbajnë disa përmbajtje tregtare nga palë të treta.
”Hetimi do të shqyrtojë nëse veprimet e Google kufizuan aftësinë e botuesve për të kryer biznes legjitim, për të rinovuar dhe për të bashkëpunuar me ofrues të përmbajtjes nga palë të treta”, sipas një deklarate të Komisionit.
“Jemi të shqetësuar që politikat e Google nuk lejojnë që botuesit e lajmeve të trajtohen në mënyrë të drejtë, të arsyeshme dhe jodiskriminuese në rezultatet e kërkimit”, tha në një deklaratë zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera.
“Do të hetojmë për të siguruar që botuesit e lajmeve të mos humbasin të ardhura të rëndësishme në një kohë të vështirë për industrinë dhe për të siguruar që Google i përmbahet Ligjit për Tregjet Digjitale”, theksoi ajo.




