Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) po zhvillojnë një takim në Kanada për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për të avancuar planin e paqes për Rripin e Gazës, në ditën e dytë të mbledhjes së tyre.
Bisedimet po mbahen në Niagara-on-the-Lake, në provincën juglindore të Ontarios, ku agjenda e sotme përfshin një sesion pune mbi Ukrainën.
Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, pritet gjithashtu të marrë pjesë në diskutimet për të ardhmen e Gazës.
G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Kanadaja, e cila mban aktualisht presidencën e radhës, po pret për herë të dytë këtë vit ministrat e Jashtëm të grupit.
Vëzhguesit po presin të shohin nëse sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe homologët e tij do të arrijnë një qëndrim të përbashkët për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në vitin 2022.
G7 bëri pak përparim gjatë samitit të liderëve të mbajtur në fillim të viti në, kur presidenti amerikan Donald Trump shprehu skepticizëm ndaj sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë, të kërkuara nga aleatët evropianë.
Megjithatë, administrata e Trump ka ndryshuar qëndrim së fundmi, duke vendosur sanksione të reja ndaj Moskës për herë të parë në mandatin e dytë të presidentit.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, ministrat do të diskutojnë gjithashtu krizën humanitare në Sudan, veprimet e Kinës në Indo-Paqësor, sigurinë detare dhe energjetike, si dhe qasjen në lëndë të para kritike.


