Javën e ardhshme, të premten fillon debati rreth Propozim-buxhetit për vitin 2026 në Komisionin Parlamentar për Financa dhe Buxhet. Deri të hënën, më 10 nëntor, është afati i fundit deri në të cilin deputetët mund të paraqesin amendamente në Propozim-buxhetin, ndërsa sipas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, pritet më 9 dhjetor të mbahet seanca plenare.
Të ardhurat totale janë planifikuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale arrijnë në 40,5 miliardë denarë, ose 650 milionë euro.
Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind të BPV-së.
Sipas ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, projektbuxheti përfshin të gjitha politikat kyçe që do të zbatohen në periudhën e ardhshme, me një qëllim të qartë – përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe paralelisht konsolidimin e përshkallëzuar fiskal.
“Do të vazhdojmë me masa për uljen e ekonomisë gri dhe rritjen e mbledhjes së të ardhurave buxhetore. Buxheti do të bazohet në projeksione reale – të ardhurat do të planifikohen sipas mundësive reale, ndërsa shpenzimet do të drejtohen kah prioritetet strategjike. Do të vazhdojë konsolidimi i ngadalshëm fiskal dhe menaxhimi i disiplinuar me financat publike, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe përgjegjësisë në shpenzimin e mjeteve buxhetore. Do të ulen shpenzimet jorëndësishme, ndërsa mbështetja për qytetarët dhe ekonominë do të zbatohet sipas kritereve të qarta dhe me monitorim të përforcuar,” – theksoi ministrja e Financave më 28 tetor, gjatë prezantimit të Projektbuxhetit.


