Përfaqësuesi i Agjencisë për Komunikime Elektronike (AEK), Orce Simov, tha se Maqedonia ka të gjitha parakushtet teknike për t’u shndërruar në një shtet plotësisht digjital. Sipas tij, vendi tashmë disponon infrastrukturë moderne dhe mbulim të gjerë me internet mobil dhe fiks.
“Maqedonia ka parakushte teknike për të qenë shtet digjital – kemi infrastrukturë mjaft të mirë. Vendi është mirë i mbuluar me sinjal mobil dhe internet fiks. Rreth 1.950.000 përdorues të rrjetit mobil, prej të cilëve 1.600.000 përdorin internet të shpejtë përmes rrjeteve mobile. Kemi 550.000 përdorues të internetit fiks, kështu që nga aspekti i infrastrukturës së rrjetit, jemi të përgatitur që Maqedonia të jetë shtet digjital”, tha Simov.
Ai theksoi se tani sfida kryesore është krijimi i përmbajtjeve dhe të dhënave që do të qarkullojnë në këtë infrastrukturë moderne.
“Është si të kemi autostrada, por pa makina që udhëtojnë mbi to. Ne duhet të punojmë për krijimin e të dhënave të dobishme që do të qarkullojnë nëpër ato rrugë informacioni. Kjo kërkon transformim digjital të institucioneve shtetërore dhe sektorit privat”, shtoi Simov.
Sipas tij, për të arritur një digjitalizim të plotë, shteti duhet të përqendrohet në ngritjen e një sistemi të unifikuar shtetëror të të dhënave dhe në rritjen e efikasitetit në përdorimin e burimeve ekzistuese.



