Kina, një mister i madh për diplomacinë perëndimore

featured
Press Online
02 Nëntor 2025, 08:04

Fakti që elita e fuqisë kryesore botërore po kalon një regres intelektual në këtë fushë nuk është lajm i mirë për askënd. Përveç Pekinit, natyrisht. George Yeo është dukshëm më i avancuar: ai vjen nga një histori tjetër 

Nga Alessandro ARESU  

Ish-ministri i Jashtëm i Singaporit, George Yeo, ka qenë së fundmi në Kroaci për një seri leksionesh. Në një moment, ai filloi të fliste për Venezian dhe Dubrovnikun, duke kujtuar sa shumë historia e tyre ka qenë për të një burim frymëzimi, për të kuptuar më mirë pozicionin e Singaporit, sot porta e dytë tregtare më e madhe në botë, pas Shangait. Para audiencës së studentëve dhe diplomatëve, ai kujtoi aftësinë veneciane për të ndërtuar anije, me të cilat “Serenissima” shfaqte fuqinë e saj dhe qasjen e Dubrovnikut për t’u mbështetur te mbrojtja e Perandorisë Osmane, për të garantuar sigurinë e vet.Më pas, ky intelektual-politik përshkroi përvojën e tij si këshilltar i Papa Françeskut. Në rrëfimin e tij, shënimet për ushqimin dhe verën në restorantet romake bashkoheshin me vëzhgimet mbi financat e Vatikanit dhe perspektivat e Evropës, e cila ishte e ngushtuar mes luftës tregtare të Trump dhe kërcënimeve ndaj kufijve të saj. 

Ka ardhur koha të pyesim: ne, evropianë dhe perëndimorë, a jemi në gjendje të mendojmë si George Yeo për ‘botët e tjera’, protagonistë të rritjes globale? Mund të gënjejmë veten dhe të themi “po”, ose të përballemi me realitetin dhe të japim përgjigjen e saktë: “jo”. Hendeku në njohuritë për të tjerët është një tipar i klasave drejtuese perëndimore, jo vetëm në raport me kundërshtarët e tyre aziatikë aktualë, por edhe me të kaluarën e gjysmës së dytë të shekullit XX. Biografia e fundit e ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare dhe strategut të Shteteve të Bashkuara, Zbignieu Brzezinski, e shkruar nga gazetari i “Financial Times”, Eduard Luce, nxjerr në pah disa aspekte, në të mirë dhe të keqe, të një “profeti të Luftës së Ftohtë”. 

Brzezinski, i lindur në Varsovë, i përkiste një grupi njerëzish që emigruan nga Europa drejt Shteteve të Bashkuara, si vetë Kissinger, që sillnin aftësi mbi historinë dhe sistemin e mendimit të kundërshtarëve. 

George Kennan, ishte njohës i thellë i historisë dhe letërsisë ruse, ndaj kishte pasion të madh. Figura si gjenerali Brent Scoucroft ose presidenti George H. Bush kanë ndërtuar kanale komunikimi dhe marrëdhënie afatgjata me Kinën, edhe në momentet më të vështira të marrëdhënieve dypalëshe, për shembull përmes lidhjes së drejtpërdrejtë me Deng Xiaoping. Fakti që elita e fuqisë kryesore botërore po kalon një regres intelektual në këtë fushë nuk është lajm i mirë për askënd. Përveç Pekinit, natyrisht. George Yeo është dukshëm më i avancuar: ai vjen nga një histori tjetër. 

Sot, për Shtetet e Bashkuara, njohja e të tjerëve karakterizon padyshim marrëdhëniet personale me liderët e monarkive të Gjirit Persik, një model që administrata e Trump i jep shumë rëndësi. Sa për Kinën, sot në SHBA vazhdojnë të publikohen libra të mirë, si biografia e jashtëzakonshme e babait të Xi Jinping, e shkruar nga Joseph Torigian, i cili ka studiuar edhe arkivat e Partisë Komuniste Italiane për të krijuar një panoramë të jashtëzakonshme të shekullit XX kinez (dhe tajvanez). 

Por, ndikimi i këtyre punimeve në proceset politike dhe strategjitë, përveç disa komplimenteve dhe frazave të zakonshme, është pothuajse i papërfillshëm. 

Në një libër të publikuar këtë vit, “Chokepoints” nga Eduard Fishman, i cili ka një përvojë të gjatë në Departamentin e Shtetit dhe në Departamentin e Thesarit, tregon dinamikën e re të sigurisë ekonomike, ku nuk vlejnë më vetëm pikët tradicionale të ngushticave gjeografike (chokepoints), por edhe dobësitë ekonomike dhe teknologjike. Në prill 2018, pas kufizimeve amerikane që bllokuan aktivitetet kryesore operative të kompanisë kineze të telekomunikacionit ZTE, në Kinë u ndez një alarm i vërtetë. Një gazetë e menaxhuar nga Ministria e Shkencës dhe Teknologjisë publikoi një seri artikujsh me titull: “Cilat janë chokepoints tanë?”. 

Analiza ishte e fokusuar te nevoja urgjente për të eliminuar varësinë nga disa kompani ose zinxhirë të kontrolluar nga SHBA-ja, që mund të dëmtonin industrinë kineze dhe objektivat ambicioze teknologjike të Partisë Komuniste. 

Megjithatë, Pekini në atë periudhë historike nuk u kufizua vetëm tek njohja e vetes, por kërkoi aktivisht të transformojë burimet e tij në elemente sulmi (njohja e sistemeve të tjera), në përputhje me logjikën tradicionale kineze. Pas intensifikimit të presionit amerikan mbi Huauei në 2019, një buletin i agjencisë kineze të planifikimit ngriti hapur një pyetje.“A do të bëhen metalet e rralla armë kundër shtypjes së padrejtë të SHBA-ve?” Në këtë proces, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, për Kinën njohja e vetes dhe njohja e të tjerëve u bë pjesë e arsenalit ekonomik, një armë gati për t’u përdorur nga ai që di se cilat janë dobësitë e veta, cilat janë pikat e sulmit dhe rezervat mbi të cilat mund të mbështetet. 

Arena e luftës ekonomike duhet konsideruar edhe në plan kulturor dhe mendor. Të jetosh në kohën tonë do të thotë të dish të përcaktosh se cilat janë “ngushticat tona”, por edhe të kuptosh sa e ngushtë është mendja jonë, të kuptosh se si perspektivat tona mbi të tjerët duhet të zgjerohen, duke respektuar pjesën tjetër të botës dhe duke qenë të vetëdijshëm që jemi vetëm një pjesë e planetit. Të kthejmë prapa kurthin e injorancës perëndimore është e mundur, në një afat të gjatë, edhe pse e vështirë. Përndryshe, na mbetet vetëm të dëgjojmë me admirim mësimin e George Yeo. (La Repubblica) 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.