Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij, si fituese e zgjedhjeve do t’i drejtohet Presidencës me emrin e mandatarit për Qeverinë e Kosovës.
Këtë njoftim ai e ka bërë gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas konstituimit të organit ligjvënës.
“Kryeministri [në detyrë i Kosovës, Albin Kurti] më njoftoi se, si kryetar i partisë më të madhe në vend, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve, Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë te presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore”, shkroi Basha në një postim në Facebook.
Megjithatë, nuk u bë e ditur se kur do të dërgohet emri i mandatarit te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, informon Radio Evropa e Lirë.
Lëvizje Vetëvendosje e ka propozuar Kurtin edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie të mbajtur më 7 shtator.
Basha tha se gjatë takimit me Kurtin po ashtu biseduan për “rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional” dhe realizimit të agjendës legjislative gjatë legjislaturës së nëntë.
Kuvendi përmbylli seancën konstituive – të nisur më 15 prill – pasi deputetët zgjodhën Nenad Rashiqin në postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – e cila ka nëntë ulëse në Kuvend, e ka kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit, duke paralajmëruar se do të ankohet për këtë vendim të deputetëve të marrë më 10 tetor.
Rashiq u zgjodh nënkryetar pasi asnjë nga nëntë deputetët e Listës Serbe – edhe pse u hodhën nga tri herë në votim – nuk arritën të merrnin 61 votat e nevojshme.
Sipas ligjeve në fuqi, pas konstituimit të Kuvendit hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast LVV-ja, duhet t’i dërgojë presidentes Osmani emrin e mandatarit për Qeverinë e re.


