Editorial nga PressOnline.al
Në një moment kur tensionet politike dhe etnike në vend janë në rritje, propozimi për një “marrëveshje historike” mes shqiptarëve dhe maqedonasëve nuk është vetëm një ide – është një sfidë dhe një test për të ardhmen e shtetit, shkruan PressOnline.al
Lideri i ASH-së, Arben Taravari shpjegoi se:
„Shtetet e ndryshme në botë që kanë kaluar tranzicione të ngjashme e dinë se pa një bazë të re marrëveshjeje, pa një konsensus të qëndrueshëm, asnjë forcë politike nuk mund të garantojë stabilitet. Shtetet nuk drejtohen vetëm nga qeveritë – ato drejtohen nga marrëdhëniet mes qytetarëve. Së pari duhet të krijojmë një marrëveshje që do të vendosë themelet për një të ardhme të qëndrueshme, e cila nuk do të ndryshojë sipas lëvizjeve politike.“
Ky propozim vjen në një kohë kur, sipas analizave të ndryshme, retorika politike ka degraduar në një lojë të rrezikshme me ndjenjat kombëtare:
„Më çdo cikël zgjedhjesh, marrëdhëniet etnike tensionohen dhe kjo përdoret për të ndërtuar imazh politik.“
„Në kohën aktuale, ofendimet dhe kërcënimet në mes të udhëheqësve politikë i shërbejnë një loje që rrezikon marrëdhëniet mes komuniteteve.“
Një tjetër analizë paralajmëron:
„Çdo sulm ndaj marrëveshjeve dhe bazave që e ruajnë harmoninë etnike është sulm ndaj paqes dhe stabilitetit në tërësi.“
Këto reflektime e theksojnë një realitet të hidhur: nëse marrëveshja e propozuar nuk shndërrohet në një proces serioz dialogu, ajo rrezikon të mbetet një iluzion politik – një premtim që shfrytëzohet në fushata, por që nuk arrin të materializohet në një marrëveshje konkrete.
Në këtë kontekst, propozimi për një marrëveshje historike nuk duhet të shihet thjesht si një veprim politik – por si një test për aftësinë e shoqërisë të kapërcejë përçarjet dhe të ndërtojë një bazë të re besimi. Sepse pa një marrëveshje të tillë, çdo debat politik nuk do të jetë më shumë se një lojë fuqish për interesa të ngushta partiake – në kurriz të marrëdhënieve etnike dhe paqes në vend.(PressOnline.al)




