Karvani zgjedhor, i udhëhequr nga kryetari i Partisë për Lëvizjen e Turkëve – THP, z. Enes Ibrahim, dje u pengua nga zyrtarë policorë që të zhvillojë aktivitetet e tij zgjedhore në fshatin Koreshnicë, komuna e Demir Kapisë, informon PressOnline.al
Karvani ynë u ndalua nga një automjet policor pa sinjalizim funksional dhe pa pajisje të nevojshme të sigurisë për natën. Zyrtarët policorë vepruan në mënyrë tepër joprofesionale, të pahijshme dhe agresive, duke na mbajtur të ndaluar për një orë të tërë në qendër të fshatit, gjë që shkaktoi shqetësim edhe te banorët lokalë.
Një qasje e tillë është e papranueshme për një shoqëri demokratike, sidomos kur bëhet fjalë për një incident që ndodh në kulmin e fushatës zgjedhore. Në vend që të krijojë ndjenjë sigurie dhe besimi tek qytetarët, policia demonstroi sjellje që ngjall frikë dhe presion.
Për këtë ngjarje të pakëndshme janë informuar të gjitha organizatat ndërkombëtare relevante që po e ndjekin procesin zgjedhor, ndërsa do të dorëzohen edhe parashtresa përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Apelojmë që MPB-ja të ndërmarrë menjëherë masa për të sqaruar plotësisht rastin dhe për t’i dhënë fund agresionit policor ndaj qytetarëve!
Partia për Lëvizjen e Turkëve – THP dhe komuniteti turk nuk do t’u nënshtrohen këtyre provokimeve dhe presioneve. Përkundrazi, do të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri dhe motivim për të realizuar aktivitetet tona zgjedhore, me qëllimin e vetëm – zgjedhje demokratike, transparente dhe të ndershme!







