Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy sot u bëri thirrje venE madhee të Grupit G7 të ndërmarrin veprime më të forta dhe të koordinuara për të mbyllur boshllëqet në sanksione që i lejojnë Rusisë të vazhdojë të furnizohet me komponentë të prodhuar jashtë për armët e saj.
“Në vitin e katërt të luftës në shkallë të plotë, Rusia vazhdon të sigurojë komponentë për prodhimin e armëve”, tha Zelensky në një deklaratë në Telegram, duke iu referuar sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës natën e 5 tetorit.
Ai zbuloi se Rusia ka përdorur 549 sisteme armësh në sulmin e fundit, që përmbanin më shumë se 102 mijë komponentë të prodhuar nga jashtë, përfshirë pjesë nga kompani në SHBA, Kinë, Tajvan, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Japoni, Korenë e Jugut dhe Holandë.
Sipas Zelenskyyt, gati 100 mijë nga këto pjesë u gjetën në dronë sulmi, me komponentë shtesë të identifikuar në raketat “Iskander”, “Kinzhal” dhe “Kalibr”. Ai shtoi se konvertuesit, sensorët dhe mikroelektronika nga prodhuesit perëndimorë dhe aziatikë përdoren rregullisht në municionet ruse.
“Partnerët tashmë posedojnë të dhëna të detajuara për secilën kompani dhe secilin produkt. Ata e dinë se çfarë të synojnë dhe si të përgjigjen”, tha Zelensky duke shtuar se Ukraina ka propozuar sanksione të reja për të frenuar zinxhirët e furnizimit që ndihmojnë Moskën.
Ai shprehu shpresën se koordinatorët e sanksioneve të G7 që planifikojnë të takohen këtë javë, do të miratojnë një “vendim sistematik” për të rritur efektivitetin e sanksioneve.





