Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu patën një telefonatë të tensionuar të premten pasi Hamasi pranoi pjesërisht planin e paqes të SHBA-së për Gazën.
Trump e quajti zhvillimin “lajm të mirë”, ndërsa Netanyahu tha se nuk kishte asgjë për të festuar.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, Trump e telefonoi Netanyahun sapo mori përgjigjen e Hamasit, të cilën e konsideroi një shenjë pozitive të një marrëveshjeje të mundshme paqeje. Megjithatë, reagimi i kryeministrit izraelit ishte i ftohtë.
“Bibi i tha Trump se nuk kishte arsye për të festuar dhe se përgjigjja e Hamasit nuk do të thoshte asgjë”, tha një zyrtar amerikan me dijeni të bisedës.
Përgjigja e Trump ishte e ashpër: “Nuk e di pse je gjithmonë kaq negativ. Kjo është një fitore, pranoje “, raportohet se tha ai.
Në përgjigjen e tij zyrtare, Hamasi tha se ishte gati të lironte të gjithë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës dhe një tërheqjeje të plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza, por bëri thirrje për negociata mbi detajet.
Netanyahu, në një takim të mbyllur, e përshkroi përgjigjen si një “refuzim” të planit të Trump dhe theksoi nevojën për t’u koordinuar me SHBA-në në mënyrë që të mos krijohej përshtypja se Hamasi ishte përgjigjur pozitivisht.
Përkundrazi, Trump e pa qëndrimin e Hamasit si një “dritare mundësie” dhe besonte se kishte vend për një marrëveshje.
Ai zbuloi se i tha Netanyahut se ky ishte “shansi i tij për të fituar” dhe se ai “më në fund u pajtua”.
“Ai është dakord me këtë. Duhet të jetë në rregull. Ai nuk ka zgjidhje tjetër”, komentoi presidenti amerikan në një intervistë.
Menjëherë pas telefonatës, Trump lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje Izraelit të ndalonte sulmet ajrore në Gaza dhe disa orë më vonë, Netanyahu dha urdhër për të ndalur sulmet.
“Shkatërrim i plotë” i Hamasit nëse nuk dorëzon kontrollin e Gazës
Në një mesazh për CNN, Donald Trump ishte këmbëngulës: “Shkatërrim total !” u përgjigj ai kur u pyet se çfarë do të ndodhte nëse Hamasi këmbëngulte të qëndronte në pushtet në Rripin e Gazës.
Presidenti amerikan tha se pret “së shpejti” një pamje të qartë nëse Hamasi është vërtet i përkushtuar ndaj paqes.
I pyetur nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e mbështet plotësisht armëpushimin dhe vizionin e përgjithshëm të Uashingtonit, Trump u përgjigj lakonikisht: “Po.”







