Pas 28 vitesh martesë, aktorja Lori Loughlin dhe stilisti Mossimo Giannulli janë ndarë. Lajmi u konfirmua nga një përfaqësues i aktores për Page Six, duke sqaruar se çifti “jetojnë të ndarë” dhe se aktualisht nuk ka ndonjë procedurë ligjore për divorc në zhvillim.
Loughlin, 61 vjeç, dhe Giannulli, 62 vjeç, kanë dy vajza së bashku: influencuesen Olivia Jade, 26 vjeç, dhe Isabella Rose, 27 vjeç.
Në shkurt, ata nxorën në shitje rezidencën e tyre luksoze në Hidden Hills për 16.5 milionë dollarë, duke shtuar spekulimet mbi problemet në martesën e tyre.
Dyshja u martuan më 27 nëntor 1997, ndërsa Loughlin ishte më parë e martuar me bankierin e investimeve Michael Burns. Karriera dhe jeta e tyre private u përfshinë në polemika në vitin 2019, kur çifti u akuzua për përfshirje në skandalin e pranimeve në kolegj.
Në maj 2020, ata pranuan fajësinë për pagesën e 500,000 dollarëve me qëllim që vajzat e tyre të pranoheshin në Universitetin e Kalifornisë Jugore si rekrute të ekipit të kanotazhit – edhe pse nuk kishin marrë pjesë kurrë në këtë sport.
Si pasojë, Loughlin vuajti dy muaj në një burg federal në Dublin të Kalifornisë, ndërsa Giannulli përfundoi pesë muaj në një qendër tjetër paraburgimi në Lompoc.
Pavarësisht përpjekjeve për të rindërtuar jetën pas skandalit, duket se martesa e tyre nuk ka arritur të mbijetojë.







