Rexhepi akuzon për keqmenaxhim dhe premton anulimin e koncesionit për ndriçimin publik, ndërsa Kasami e mbron projektin si efikas dhe të dobishëm. Në Çair, Mexhiti dhe Osmani përplasen për mobilitetin, pastërtinë dhe zhvillimin urban.
Fushata për zgjedhjet lokale ka nisur me polemika të ashpra në Tetovë dhe me premtime ambicioze në komunën e Çairit, shkruan Frontline, përcjell PressOnline.al.
Kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (BDI), Bajram Rexhepi, e vuri në qendër temën e koncesionit për ndriçimin publik, të cilin e quajti të dëmshëm për buxhetin e komunës dhe për qytetarët.
“Sipas marrëveshjes, operatori privat duhej që brenda 6 muajve nga nënshkrimi të zëvendësonte 8.720 llamba ekzistuese me llamba smart LED. Afati ka kaluar prej kohësh, Tetova ende nuk ka ndriçim modern, ndërsa qytetarët paguajnë fatura më të larta për ndriçim publik. Ky është një plan i pastër pasurimi mbi kurrizin e qytetarëve. Ju premtoj, këtë marrëveshje do ta anulojmë menjëherë dhe nuk do të lejojmë që individë të pasurohen mbi interesin publik dhe të ardhmen e Tetovës”, deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se projekti nuk është bërë për të mirën e qytetarëve, por për përfitime të grupeve të caktuara të interesit.
Nga ana tjetër, Bilall Kasami, kryetari aktual i Tetovës dhe kundërshtar elektoral i Rexhepit nga koalicioni VLEN, e mbron koncesionin, duke thënë se projekti ka sjellë kursime dhe efikasitet.
“Në të kaluarën, kur ndriçimi publik menaxhohej nga komuna, shpenzoheshin rreth 200 mijë euro në vit për fatura. Sot, kur kjo është nën menaxhim privat, komuna ka të ardhura prej rreth 200 mijë euro, të cilat përdoren për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se ndërsa dikur gjysma e Tetovës qëndronte në errësirë, sot nuk ka rrugë apo rrugicë pa ndriçim.
Ndriçimi publik në Tetovë iu dha me koncesion në vitin 2023 dhe që atëherë është temë debatesh të ashpra politike.
Çair – Premtime për parkingje, pastërti dhe investime për të rinjtë
Në komunën e Çairit në Shkup, kandidatët po paraqesin vizionet e tyre për zhvillim urban. Izet Mexhiti, kandidati i VLEN-it, theksoi arritjet dhe prioritetet për mandatin e ardhshëm, duke thënë se Çairi tashmë është “zonë ndërtimi”.
“Do të ndërtojmë parkingje nëntokësore te ‘Sheshi Skënderbeu’, garazhe me kate te “Çairçanka” dhe garazhe të montueshme në Fushë Topane dhe te Salla Partizani. Do të zgjerojmë rrugët kryesore si “Cvetan Dimov” dhe do të implementojmë një sistem modern për menaxhimin e mbeturinave, deklaroi Mexhiti.
Ai gjithashtu paralajmëroi krijimin e një inkubatori biznesi për startup-e dhe një fond lokal për sipërmarrësit e rinj, si pjesë e një plani më të gjerë për zhvillimin ekonomik.
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (BDI), Bujar Osmani, prezantoi programin e tij me dy trajektore: një agjendë urgjente dhe një vizion afatgjatë zhvillimi.
“Programi im ka dy rrugë. Njëra është urgjente, sepse ka çështje që, nëse nuk i zgjidhim menjëherë, do të jetë vonë! E kemi quajtur “gjendje e jashtëzakonshme”. Prioritetet janë higjiena, mungesa e parkingjeve, ndërtimet pa leje, korrupsioni dhe siguria”, tha Osmani.
Ai premtoi 2.500 vende të reja parkimi, krijimin e një ndërmarrjeje publike për higjienë dhe futjen e një menaxhimi më rigoroz e transparent të komunës.
Zgjidhja e problemeve lokale si ndriçimi publik, parkingjet, mbeturinat dhe kaosi urban po bëhen tema kyçe të fushatave. Pritshmëritë e qytetarëve janë më të larta, dhe kandidatët duhet të ofrojnë zgjidhje reale dhe rezultate konkrete.


