Sot është lëshuar për qarkullim pjesa Klimeshtan–Ohër, një segment prej 17 kilometrash i autostradës Kërçovë–Ohër, e cila në total pritet të ketë gjatësi 57 kilometra. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski me delegacion shtetëror, informon PressOnline.al.
Hapja e një pjese tjetër të autostradës Kërçovë–Ohër është një dëshmi e fortë se Maqedonia po ecën përpara, po ndërton dhe po i kapërcen vitet e gjata të ngecjes, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski gjatë inaugurimit të segmentit Klimeshtan–Ohër me gjatësi 17 kilometra, pranë aeroportit të Ohrit.
“Autostrada Kërçovë–Ohër ka rëndësi strategjike për vendin tonë. Ajo është arteria kryesore që lidh jugperëndimin e Maqedonisë me pjesën tjetër të shtetit dhe me Ohërin – qytet që nuk është vetëm perlë turistike e jona, por edhe trashëgimi kulturore botërore. Me këtë autostradë, Ohri dhe i gjithë rajoni marrin energji të re për zhvillim, mundësi të reja për turizmin dhe perspektivë të re për ekonominë. Me udhëtim më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt, kjo autostradë do të sjellë më shumë turistë, më shumë investime dhe më shumë mundësi për ekonominë lokale. Do të shkurtohet koha e udhëtimit, do të lehtësohet transporti i mallrave dhe shërbimeve dhe do të hapet hapësirë për biznese të reja dhe vende të reja pune – tha Kryeministri.
Më 13 korrik, pas 11 vitesh nga nisja e punimeve, u hapën edhe 20 kilometra nga pjesa Vrbjani–Botun, duke bërë që më shumë se gjysma e autostradës tashmë të jetë funksionale.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, theksoi se së shpejti do të përfundojë edhe e gjithë linja, me përjashtim të nyjës tek Trebenishta, e cila pritet të hapet brenda dy muajve të ardhshëm. Ai shtoi se kjo ka qenë ndër segmentet më të vështira për ndërtim, pasi ka kaluar në një rrugë ekzistuese me shumë kthesa dhe nëpër pesë vendbanime të dendura – Mesheishtë, Trebenishtë, Gorincë, Orvnik dhe Podmolje. Për rreth 100 familje janë ndërtuar rrugë hyrëse në autostradë, ndërsa pas shtatë viteve bllokadë u përfunduan procedurat e eksproprijimit.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, paralajmëroi se deri në fund të vitit 2026 do të përfundojë i gjithë autostradi. Ai shtoi se ky projekt do të lidhet me autostradën Bukojçan–Kërçovë dhe më tej deri në Gostivar, duke bërë që deri në fund të vitit 2028 ose fillim të 2029 të ketë një korridor të plotë autostradash nga Shkupi deri në Strugë e Ohër.
Autostrada Kërçovë–Ohër nisi të ndërtohet në vitin 2014 gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, me premtimin se do të përfundonte brenda katër vitesh. Por projekti hasi në probleme serioze, ndryshime në trasenë dhe ndalesa të shumta, gjë që solli shtyrje të afateve dhe kosto shtesë prej 185 milionë eurosh përmes një marrëveshjeje të re me kompaninë kineze që po e realizon punën. (PressOnline.al)


