Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka shpalosur një projekt të ri për rritjen e efikasitetit energjetik në çdo ndërtesë të komunës. Ai tha se Çairi po hyn në një nga transformimet urbane më të mëdha të historisë së tij.
Sipas projektit, çdo ndërtesë që nuk ka efikasitet energjetik do të mund të aplikojë për subvencione dhe të pajiset me një fasadë të re dhe moderne. Mexhiti theksoi se kjo nismë do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve, duke siguruar banesa më të ngrohta në dimër, më të freskëta në verë dhe ulje të dukshme të faturave të energjisë.
Plani parashikon katër masa konkrete:
-krijimin e fondit komunal për efikasitet energjetik, me ndihmë të posaçme për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta;
-shndërrimin e shkollave në “shkolla të gjelbra” me panele diellore dhe kushte bashkëkohore;
-ndalimin me ligj të ndërprerjes së energjisë për kategoritë e ndjeshme;
-mbështetje për komunitetet energjetike që do të prodhojnë dhe përdorin bashkërisht energji diellore.
“Ky nuk është thjesht një premtim, por një plan i qartë dhe i zbatueshëm që nis menjëherë dhe do të sjellë ndryshime të vërteta në çdo lagje e çdo shtëpi të Çairit”, deklaroi Mexhiti.



