Kandidati për kryetar komune në Çair nga Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet do të rishikojë menjëherë rreth 720 kontrata të dyshimta në komunë. Në një prononcim në pyetjen e gazetarit për këtë çështje, Osmani kritikoi përdorimin e fondeve publike për kontrata të dhëna aktivistëve partiak, të cilët sipas tij, kanë detyrë të shkruajnë në rrjetet sociale dhe të sulmojnë oponentët politik.
“Ky është një fakt trishtues realisht, unë sa e di në korrik në Open Finance, kane qene 720 kontrata edhe atë në vlerë prej 50.000 denarë për njerëz që rrijnë në shtëpi. të cilët janë aktivistë partiak, të cilët kanë detyrë të shkruajnë nëpër rrjetet sociale, të shajnë oponentët politik. dmth me paratë e qytetarëve paguhen aktivistët partiak. 720 kontrata ne korrik nëse e marrim mesataren 30.000 denarë, tash nëse e kalkulojmë janë diku 350.000 euro në muaj, paramendoni çka do bëheshte me 350.000 euro në muaj në çdo lagje. 350.000 këtë muaj, në korrik në Gazi Babë, 350.000 në Serovë, 350.000 në Dizhon dhe prandaj Çairi është në këtë gjendje sepse aktivistët partiak mbahen me paret tona, me mjetet tona në një komunë që ka Buxhet të limituar, në një komunë ku 67% e Buxhetit shkon për rroga. Unë them ditën e parë do t’i revidojmë këto kontrata, kontrata do të kenë vetëm njerëzit që do të punojnë, kontrata për aktivistët partiak nuk do të ketë më!”, deklaroi Osmani.
Ai premtoi se në qeverisjen e tij, kontratat do të jenë vetëm për punonjësit që kryejnë detyra reale.





