Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, Blerant Ramadani, ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Naser Selmani, i cili u përball me dëmtimin e makinës së tij nga persona ende të paidentifikuar.
Ramadani e ka cilësuar këtë akt si të shëmtuar dhe të papranueshëm, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një sulm ndaj Selmanit, por edhe ndaj lirisë së fjalës dhe vetë demokracisë.
“Gazetarët nuk janë armiq, por syri dhe veshi i shoqërisë. Ata duhet të mbrohen, jo të kërcënohen. Sot është Naser Selmani, nesër mund të jetë kushdo tjetër që guxon të thotë mendimin e tij”, u shpreh Ramadani.
Ai kërkoi nga organet e rendit të veprojnë me seriozitet maksimal për zbardhjen e rastit, duke identifikuar dhe ndëshkuar autorët dhe urdhëruesit e këtij sulmi.
Në fund, Ramadani i shprehu solidaritet të plotë gazetarit Selmani, duke theksuar se demokracia është më e fortë se çdo tentativë frikësimi.









