Nga: DESTAN JONUZI
Njëzet ditë para zgjedhjeve, sipas ligjit, fushata ende nuk ka filluar. Por, në Maqedoni kjo është vetëm formalitet. Kandidatët tashmë trokasin në dyert tuaja, fotografohen nëpër kafene të lagjes dhe hedhin premtime si konfeti në karneval. Programet? Ah, ato do të “publikohen” diku kur shtabet partiake të kujtohen t’i shkruajnë.
E çfarë u ofrojnë qytetarëve? Një buzëqeshje të mirë? Disa fraza boshe? Në thelb – ajër pa përmbajtje. Sot premtojnë një gjë, nesër do të gjejnë një fletë të re dhe do të premtojnë tjetër. Pas zgjedhjeve? Mirë se vini në serialin klasik maqedonas: katër vite premtime të parealizuara, me arsyetimin se “faji është tek kundërshtarët politikë”.
Të jemi realistë: kjo nuk është fushatë, por lojë psikologjike e besimit, testim i pulsit të qytetarëve dhe ndërtim i një afërsie të rreme. Çdo vizitë te qytetari është thjesht një truk marketingu, me qëllim të “sundohet terreni” edhe para fillimit zyrtar.
Dhe nëse pyesni a është kjo legale? Sipas Kodit Zgjedhor, nisja e fushatës para datës së përcaktuar me ligj është ilegale. Por kujt i intereson kjo? Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e sheh, por rrallëherë përpiqet t’i ndëshkojë kandidatët “kreativë”. Në praktikë, rregullat janë si një manual që askush nuk e hap – vlejnë vetëm kur dikujt i bie ndër mend.
Nëse një politikan që ende pa filluar fushata shkel kornizën ligjore, çfarë mendoni se do të bëjë me pushtetin real kur ta marrë?
Shtoni këtu edhe aksionet direkte të partive – disa “kujdesen për popullin” me fotografi në Facebook, të tjerë “vrapojnë” nëpër lagje sikur të jenë pjesë e një reality show dhe përfundoni me një cirk të pastër të hipokrizisë politike dhe premtimeve boshe.
Çdo trokitje në derë, çdo fjalë me ton të butë, dhe çdo “takim joformal” – kontrollojeni me pyetjen: “A është kjo program i vërtetë apo vetëm një truk parazgjedhor?”
Pyetja e vërtetë që të gjithë duhet t’ia bëjmë vetes është: a fiton vërtet demokracia kur rregullat shkelen që para se të nisë fushata, ndërsa politikanët ju shohin si “terren për eksperiment” në vend si qytetarë? (Frontline.mk)