Lideri i ASH-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari, e ka cilësuar gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si më të rëndën historike nën qeverisjen aktuale.
“Nuk e konsideroj, e di, dhe bashkë me mua e di shumica dërrmuese,” deklaroi ai për VOX Kosova, duke shtuar se shqiptarët janë jo vetëm të anashkaluar, por të nëpërkëmbur – nga gjuha, te punësimi e deri tek orientimi evropian i vendit.
Në një reagim të ashpër ndaj kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, Taravari tha se ai ka humbur kthjelltësinë politike dhe po lëviz drejt nacionalizmit me “nuanca separatiste”.
“Kam respekt për çdo patriot, përfshirë Mickoskin, por fatkeqësisht ai humbi kthjelltësinë politike. Kjo retorikë nuk i shkon për shtat as Evropës së shekullit XXI, e aq më pak një vendi multietnik si Maqedonia e Veriut,” theksoi Taravari, përcjell PressOnline.al
Ai kujtoi se arsyeja kryesore e largimit nga qeveria Mickoski-VLEN ishte afrimi i saj me “botën serbe”, duke paralajmëruar për rrezikun e ndikimit serbo-rus në Maqedoni dhe duke apeluar që shqiptarët të jenë “rojet e demokracisë evropiane”.
Ndërkohë, Taravari nuk kurseu kritika as për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e quajti “kumbari” të VLEN-it dhe SVLEN-it, por tashmë sipas tij i lodhur nga pushteti dhe pa qëndrim serioz ndaj Shkupit.
Për ish-partnerët në koalicion, Taravari dërgoi një mesazh të shkurtër: “Qetësi dhe reflektim.” Sa i takon zgjedhjeve lokale, ai u shpreh i bindur për fitore dhe i gatshëm të bashkëpunojë me çdo forcë politike shqiptare që, siç tha, “punon për shqiptarët e jo kundër tyre”.(PressOnline.al)







