Me shpalljen e Zgjedhjeve Lokale më 19 tetor 2025, është rivendosur Trupi Koordinues për trajtimin e ankesave lidhur me aktivitetet zgjedhore në hapësirën online. Ky mekanizëm synon të mbrojë lirinë e shprehjes dhe informimit, si dhe të parandalojë përhapjen e dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe shkeljet e të dhënave personale.
Individët, partitë politike, kandidatët e pavarur, institucionet dhe organizatat joqeveritare mund të paraqesin ankesa në adresën: koordinativnotelozaizbori@avmu.mk.
Kodi i Sjelljes në hapësirën online, i miratuar në shtator 2023, zbatohet për partitë politike, kandidatët, mediat online, influencuesit dhe të gjithë ata që ndikojnë tek qytetarët dhe e drejta e tyre e votës. Qëllimi është të sigurohet transparencë, integritet i informacionit dhe një proces zgjedhor i drejtë dhe demokratik.
Nënshkrues të Kodit janë një numër i madh i mediave serioze në vend, subjektesh dhe organizatash, duke përfshirë portalin PressOnline.al në gjuhën shqipe dhe PressOnline.mk në gjuhën maqedonase, që konfirmojnë përkushtimin e tyre për raportim të përgjegjshëm, respektim të etikës mediatike dhe luftë kundër dezinformatave online.
Përveç nënshkrimit të këtij Kodi, PressOnline është anëtare edhe e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë së Veriut dhe PROMEDIA, platformës së mediave profesionale të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke treguar angazhim të plotë për respektimin e etikës mediatike dhe luftën kundër dezinformatave.
Më shumë rreth Kodit të Sjelljes në hapësirën online lexoni këtu: https://izborenkodeksonline.mk/…/kodeksi-i-sjelljes-ne…


