1.118 nxënës të shkollave të mesme e japin sot maturën shtetërore – Sot mbahet provimi për lëndët e detyrueshme

featured
Press Online
12 Gusht 2025, 08:46

Maturantët që nuk e kaluan maturën shtetërore në qershor, sot do ta japin provimin e parë, provimin ekstern të detyrueshëm – gjuhë amtare dhe letërsi. Ndërsa më 14 gusht (e enjte), do të zhvillohet provimi i dytë, ai zgjedhor ekstern, në sesionin e gushtit të maturës shtetërore, përcjell PressOnline.al.

Sipas të dhënave nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP), për të dyja ditët e provimeve janë paraqitur gjithsej 1.118 nxënës. Testin e gjuhës amtare sot do ta japin: 352 – në gjuhën maqedonase, 225 – në gjuhën shqipe dhe nëntë kandidatë – në gjuhën turke.

Për provimin pasnesër janë paraqitur: 779 maturantë për gjuhën angleze, një nxënës për gjuhën frënge, dy për gjuhën gjermane, 27 për matematikë dhe një maturant për lëndën e estetikës.

Sipas llojit të arsimit, nga arsimi gjimnazial do të japin provim 265 nxënës, nga arsimi profesional – 835 dhe 18 maturantë nga arsimi i mesëm artistik. Provimet e sesionit të gushtit do të zhvillohen në hapësira të fakulteteve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Shtetërore e Provimeve javën e kaluar i publikuan rezultatet e maturës shtetërore të zhvilluar në qershor, të cilat janë më të mira krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Nota mesatare nga dy provimet e jashtme në sesionin e qershorit është 3.69, më e lartë se vitin e kaluar, kur ishte 3.26. Është vërejtur përmirësim i rezultateve në gjuhët amtare dhe në disa lëndë tjera, sidomos në matematikë, ku nota mesatare ishte 4.14.

Për provimet në afatin e qershorit ishin paraqitur gjithsej 15.004 nxënës. Për shkak të tentimeve për kopjim, përdorim të pajisjeve elektronike dhe parregullsive të tjera, testet e 172 nxënësve janë anuluar dhe ata do të mund ta riprovojnë në afatin e gushtit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter