Misioni i OSBE-së në Shkup ka shpallur thirrje për anëtarë të Grupit Këshillëdhënës Rinor (Youth Advisory Group – YAG), që ka për qëllim të sigurojë përfshirjen e pikëpamjeve përfaqësuese rinore në politikat, planifikimin dhe aktivitetet programore të Misionit, përcjell PressOnline.al.
Grupi do të japë një kontribut të rëndësishëm në lidhje me nevojat, prioritetet, aspiratat dhe sfidat e të rinjve, si dhe në rritjen e vetëdijes për këto çështje dhe në promovimin e vlerave të OSBE-së.
Qëllimi i YAG është të ofrojë perspektivë rinore për çështjet rinore dhe të tjera që burojnë nga prioritetet e Misionit, duke përfshirë edhe zbatimin dhe vlerësimin e aktiviteteve.
Thirrja është e destinuar për 7 deri në 9 qytetarë të Republikës së Maqedonisë, të moshës nga 15 deri në 29 vjeç, të cilët flasin rrjedhshëm gjuhën angleze dhe kanë dëshirë të kontribuojnë për ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.
Afati për aplikim është deri më 15 gusht 2025 dhe siç bëri të ditur OSBE-ja, të gjithë kandidatët do të marrin konfirmim për pranimin e aplikacionit, por vetëm të përzgjedhurit në listën e ngushtë do të kontaktohen për hapat e mëtejshëm.
Më shumë informacione mund të gjeni në thirrjen zyrtare të OSBE-së.







