Impetigo është një infeksion bakterial sipërfaqësor i lëkurës, që shfaqet më së shpeshti gjatë muajve të ngrohtë dhe shpesh lidhet me larjen në det apo lumenj të kontaminuar
Bakteret që e shkaktojnë – Staphylococcus aureus dhe Streptococcus pyogenes, futen përmes gërvishtjeve ose plagëve të vogla në lëkurë dhe përhapen me shpejtësi, veçanërisht kur nuk respektohen masat bazike të higjienës (CDC, 2023).
Rritja e temperaturës, lagështia dhe prania e sëmundjeve të lëkurës si ekzema janë faktorë që e lehtësojnë zhvillimin e baktereve. Studimet klinike kanë treguar se larja në ujë të ndotur fekalisht mund të rrisë incidencën e infeksioneve bakteriale të lëkurës, përfshirë impetigon (WHO Guidelines on Sanitation and Health, përcjell Telegrafi.

Edhe pse në shumicën e rasteve impetigo është i butë dhe kalon pa pasoja serioze, nëse plagët kruhen apo preken shpesh, mund të ndodhin komplikime. Në raste më të rralla, infeksioni mund të përhapet në gjak ose të shkaktojë inflamacion të veshkave, siç ndodh me glomerulonefritin post-streptokokal (Mayo Clinic, 2024). Kjo është arsyeja pse mjekët ndonjëherë rekomandojnë analiza të urinës për fëmijët e prekur.

Masat parandaluese janë thelbësore:
▪ Larja e rregullt e duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë – e njohur si mënyra më efektive për të parandaluar infeksionet bakteriale sipërfaqësore (CDC, 2023).
▪ Pastrim dhe zierje e rrobave dhe peshqirëve – kjo ul rrezikun e riinfektimit dhe përhapjes në ambientet familjare.
▪ Mbajtja e thonjve të shkurtër dhe të pastër – veçanërisht tek fëmijët që kanë tendencë të gërvishtin lëkurën.
▪ Shmangia e ndarjes së sendeve personale – veçanërisht në ambiente kolektive si kopshtet, shkollat apo plazhet.
▪ Impetigo, edhe pse nuk është zakonisht një sëmundje e rrezikshme, kërkon trajtim të duhur dhe kontroll të rreptë të higjienës për të parandaluar përhapjen e tij. Siç thekson edhe World Health Organization, edukimi mbi higjienën dhe kontrolli i cilësisë së ujërave për rekreacion janë ndër mënyrat më efikase për të parandaluar shpërthimet e kësaj sëmundjeje gjatë verës.







