Kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit heqjen e “non gratës” për kreun e PD-së, Sali Berisha.
Në një letër drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio thuhet se përcaktimi i Berishës si person i padëshiruar nga SHBA-të dëmtoi politikën e jashtme amerikane.
Continental Strategy ka argumentuar duke u shprehur se heqja e këtij përcaktimi për liderin e opozitës duhet bërë edhe për faktin se Berisha tani nuk është më një politikan aktiv.
“Shpallja “non grata” e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ka qenë e motivuar politikisht, pa bazë faktike, ka dëmtuar interesat e politikës së jashtme të SHBA dhe ka kontribuar në degradimin e Shqipërisë në atë që kritikët e përshkruajnë sot si një ‘narco-shtet’. Duke qenë se demokracia shqiptare është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë e SHBA-së në rajon”, thuhej në letrën e Continental Strategy.
Lobistët e quajnë dezenjimin e Berishës të padëshiruar si të motivuar politikisht, ndërsa thotë se administrata e kaluar është ndikuar edhe nga Soros e ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim.
“Në të vërtetë, shpallja e tij është produkt i njëanshmërisë ideologjike të administratave Obama dhe Biden. Ajo u diktua nga armiqësia politike e Sekretarit Antony Blinken ndaj të djathtës,nga partizanizmi i ambasadores Kim dhe nga gatishmëria e Administratores së USAID-it, Samantha Power, për të lejuar që kryeministri Edi Rama ta shndërrojë SPAK-un në një armë politike kundër opozitës.Pjesëmarrja dhe partiake e Ambasadores së SHBA-së Yuri Kim përfshinte “mbështetjen ekstreme të Ramës, favorizimin e hapur të Ramës dhe zvarritjen e Partisë Demokratike dhe opozitës, duke i thënë publikisht Berishës që ‘të hajë bar”, thuhej më tej.
Continental Strategy akuzon administratën e mëparshme të SHBA-ve se nuk iu përgjigj kurrë kërkesave për prova mbi këtë vendimmarrje. Kjo kompani amerikane konsulence dhe lobimi ka lidhje të ngushta me figura nga rrjeti politik i Partisë Republikane dhe ekipi i Donald Trump.
/vizionplus.tv


