Pesë ditë pas pyetjeve të drejtpërdrejta publike, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Koalicioni qeverisës VLEN akuzon këtë parti për heshtje të qëllimshme lidhur me marrëdhëniet e saj me Beogradin dhe për mungesë transparence ndaj opinionit shqiptar.
“Nuk ka as reagim, as sqarim, as përgënjeshtrim,” thekson VLEN në një komunikatë drejtuar mediave, duke kërkuar përgjigje konkrete nga BDI dhe nga Bujar Osmani personalisht, informon PressOnline.al
VLEN kërkon të dijë sa takime ka zhvilluar ministri i jashtëm i mëparshëm Bujar Osmani me autoritete serbe dhe sa herë ka udhëtuar në mënyrë private në Serbi, pa e informuar publikun.
“A nuk është pikërisht kjo heshtje një konfirmim i gjithçkaje që është thënë deri më tani?”, pyesin nga VLEN, duke theksuar se heshtja e BDI-së është alarmante për një subjekt që deklarohet si pro-perëndimor dhe përfaqësues i interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni VLEN shtron publikisht disa pyetje direkte për Bujar Osmanin:
A ka filluar bashkëpunimin me strategët e komunikimit të Aleksandar Vuçiqit?
A do të vazhdojë me të njëjtët këshilltarë të PR-it të cilët i ka pasur edhe gjatë bashkëqeverisjes me LSDM-në?
A ka marrë ende mbështetje nga Beogradi?
A ndërtohen ende aleanca të fshehta me qendra të pushtetit serb, ndërsa në publik BDI shfaqet si “patriote”?
Sipas VLEN, faktet janë kokëforta:
“11 takime me autoritetet serbe, 0 me ata kosovarë. BDI është fotografuar me Vuçiqin, jo me Kurtin,” theksohet në komunikatë.
Në përfundim, VLEN u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bien pre e retorikave boshe dhe të kërkojnë përgjegjësi. “BDI nuk mund të fshihet më pas fjalëve të bukura. Populli e ka kuptuar se pas ‘diplomacisë evropiane’ fshihen marrëveshje që mbajnë erën e ‘botës serbe’ – dhe këtë nuk do ta lejojmë!”







