Editorial nga PressOnline.al
Një përplasje e re dhe domethënëse po zhvillohet në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut – këtë herë jo vetëm për poste, por për drejtimin strategjik të shtetit. BDI, tani në opozitë, akuzon koalicionin qeverisës VLEN për një orientim të rrezikshëm kah Lindja, duke përmendur ndikime hungareze, heshtje për projektet perëndimore dhe afrim me Serbinë. Nga ana tjetër, VLEN hedh poshtë akuzat dhe e shfaq BDI-në si themeluese të vetë këtij kursi lindor – duke sjellë prova konkrete dhe një dosje të rëndë me hipokrizi, shkruan PressOnline.al
Nëse dikush sot e sheh veten si mbrojtës të Perëndimit, atëherë duhet të jetë në gjendje të përgjigjet edhe për të kaluarën. E pikërisht këtu VLEN godet BDI-në aty ku dhemb më shumë – te lidhjet e panumërta të dikurshme të Bujar Osmanit me zyrtarë serbë dhe mungesa e plotë e angazhimit për bashkëpunim me Kosovën. 11 takime me ministrin e Jashtëm të Serbisë, dhe asnjë vizitë zyrtare në Prishtinë? Ky nuk është rastësi – është politikë e qëllimshme.
Të njëjtën politikë e pamë edhe me “Open Balkan” – një projekt që u shty fuqishëm nga BDI me pretekstin e bashkëpunimit rajonal, por që realisht e vendoste Maqedoninë e Veriut nën ndikimin e Beogradit, në kurriz të bashkëpunimit me Tiranën dhe Prishtinën. Nëse shtojmë edhe faktin që gjatë qeverisjes së BDI-së nuk u ndërtua asnjë kilometër autostradë në Korridorin 8 – ndërsa u përshpejtua lidhja Tabanoc-Gjevgjeli – kuptojmë qartë se prioritetet nuk ishin europiane, por ballkanike të stilit të vjetër.
Tani, kur VLEN flet për lidhje me Hungarinë, për marrëveshje ekonomike dhe diplomaci shumëpalëshe – BDI kërkon të paraqitet si roje e kursit euroatlantik. Por është vonë për të ndërruar maskat. Historia e afërt tregon qartë kush e mbajti të bllokuar Korridorin 8, kush heshti për mungesën e rrugëve me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe kush preferoi t’i hapte “ekspres korsitë” drejt Serbisë.
Ajo që po shohim tani është një betejë për narrativën – kush do të etiketohet si pro-evropian dhe kush si pro-lindor. Por qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për slogane. Ata duan rrugë, duan projekte reale, duan afrim me Tiranën, Prishtinën dhe Brukselin – jo me Beogradin dhe Budapestin.
Kjo nuk është vetëm betejë për zgjedhjet lokale. Është betejë për drejtimin historik të shqiptarëve në këtë vend. Dhe është momenti që për një herë, fjalët të ndjekin veprat – jo veprat të fshihen pas fjalëve.(PressOnline.al)