Shkupi po përballet me një krizë serioze të furnizimit me ujë të pijshëm dhe shkaku nuk është ndonjë defekt teknik apo infrastrukturë e dobët, por – konsum i pakontrolluar dhe kriminal, informon PressOnline.al
Burimi natyror Rashe, që është furnizuesi kryesor me ujë të pijshëm për kryeqytetin, ka pësuar rënie të ndjeshme të kapacitetit për shkak të thatësirës dhe temperaturave ekstreme të verës.
Në të njëjtën kohë, konsumi ditor i ujit ka arritur nivele rekord, shumë më të larta se konsumi normal, gjë që sipas institucioneve tregon për keqpërdorim masiv të ujit.
Autoritetet bëjnë të ditur se çdo ditë zbulohen mbi 30 lidhje ilegale, përmes të cilave mbushen pishina, ujiten toka bujqësore dhe furnizohen ndërtime pa leje – të gjitha këto pa paguar asnjë qindarkë.
Këta përdorues e marrin ujin praktikisht falas, duke krijuar një presion të madh mbi sistemin dhe duke lënë mijëra banorë të Shkupit pa ujë, pikërisht në ditët më kritike të verës.
Institucionet paralajmërojnë se derisa të mos ndëshkohet publikisht dhe ligjërisht së paku një nga këto raste, situata nuk do të përmirësohet.(PressOnline.al)


