Kur flasim për veshjet e duhura për çdo sezon, kjo listë nuk mund të kalojë pa bluzën bazë me mëngë të shkurtra. Ndërsa zakonisht zgjedhim modele, këtë vit një prerje ndryshe është trend i madh, që mund të jetë zëvendësimi i përsosur për modelin klasik të gjerë
Njihuni me – baby tee. Ky model bluzeje ishte i popullarizuar në vitet ‘90 dhe 2000-ta, ndërsa tani është rikthyer si një nga prerjet më të preferuara. Baby tee bluzet janë të ngushta, të shkurtra dhe përgjithësisht shumë të ëmbla dhe sot i gjejmë në versione të ndryshme.
Ky model u rikthye në qendër të vëmendjes vitin e kaluar, në kuadër të lëvizjes “brat girl summer”, dhe duket se do t’i veshim edhe këtë sezon.
Këtë trend tashmë e kanë përqafuar Kendall Jenner, Bella Hadid dhe Hailey Bieber, tre nga trendseteret kryesore të gjeneratës së re. Modelja Bella Hadid ka zgjedhur një model pak më të gjatë, që nuk e zbulon kërthizën, dhe duket fenomenale me pantallona me bel të ulët.

Pikërisht një model i tillë na pëlqen – një baby tee pak më e gjatë, që ruan prerjen lozonjare, pa u dukur tepër fëmijërore. Këto modele duken për mrekulli me funde midi, xhinse, por sidomos me bermuda dhe pantallona capri që janë shumë të pëlqyera.







