Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar se qeveria që ai drejton po shqyrton mundësinë e vendosjes së një takse për qytetarët që nuk janë të martuar. Deklarata u bë gjatë një fjalimi mbi krizën demografike dhe përpjekjet për të ndalur shpopullimin dhe për të rritur natalitetin në vend.
“Po mendojmë seriozisht të vendosim tatime për të pamartuarit, sepse situata është alarmante”, tha Mickoski, duke e përshkruar këtë si një krizë të heshtur, por sistemike, që po e rrezikon të ardhmen e vendit.
Ai shtoi se ndonëse ky fenomen nuk është unik për Maqedoninë e Veriut, vendi ndodhet në një pozicion më të keq se shumë vende të tjera evropiane. “Në Gjermani, Itali apo Bullgari kjo është një tendencë, por tek ne është alarm kombëtar”, theksoi ai, përcjell PressOnline.al
Sipas të dhënave që prezantoi kryeministri, vetëm në vitin 2024 janë lindur 16.061 fëmijë ndërsa kanë vdekur 20.201 persona – një rënie natyrore prej 4.140 banorësh në një vit të vetëm. Në katër vitet e fundit, vendi ka humbur mbi 33 mijë qytetarë – ekuivalente me një qytet si Kavadarci apo Kërçova.
Mickoski fajësoi qeveritë e mëparshme, sidomos atë të udhëhequr nga LSDM, për neglizhimin e krizës dhe për “shkatërrimin e familjes si institucion”. Ai tha se për vite me radhë problemi është anashkaluar, duke u fshehur “nën tapet”.
“Po flasim për një tjetërsim të heshtur – gjithnjë e më pak martesa, gjithnjë e më pak fëmijë. Kjo nuk është vetëm statistikë. Kjo është heshtja që përhapet, që na rrëmben shpresën dhe të ardhmen”, u shpreh Mickoski.
Në fund të fjalimit të tij, ai theksoi se çdo politikë e re e qeverisë do të ketë për qëllim të rikthejë besimin dhe shpresën tek të rinjtë. “Nuk ka zgjidhje magjike, por ka luftë të qëndrueshme shtetërore. Dhe ne e kemi nisur këtë luftë”, përfundoi ai.



