Mexhiti-Kurti: Mesazh bashkimi për sfidat dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve

featured
Press Online
30 Qershor 2025, 22:16

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka pritur sot në kufi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në kuadër të Takimit të Lidershipit BE-Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes.

Në një postim në Facebook, Mexhiti e cilësoi Kurtin si “mik, vëlla dhe udhëheqës të një shteti që na qëndron pranë në çdo kohë”, duke theksuar simbolikën e pritjes në kufi si një gjest respekti dhe vlerësimi për marrëdhëniet ndërshqiptare.

“Kjo pritje ishte një shenjë respekti dhe vlerësimi për lidhjet që na bashkojnë, për qasjen e përbashkët që kemi ndaj sfidave të rajonit dhe për besimin që ndajmë në të ardhmen tonë evropiane,” shkroi Mexhiti në postimin e tij, që e përcjell PressOnline.al.

Ai shtoi se gjatë takimit të shkurtër me Kurtin biseduan me sinqeritet për mundësitë e bashkëpunimit, sfidat e përbashkëta dhe rrugën drejt integrimit evropian.

“Është mirë kur në këtë rrugë kemi pranë njëri-tjetrin,” përfundoi Mexhiti, duke i uruar mirëseardhje Kryeministrit të Kosovës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter