Nga muaji shtator, kantoni i Gjenevës do të ndalojë përdorimin e telefonave inteligjentë në të gjitha shkollat e Ciklit të Orientimit, përfshirë edhe gjatë pushimeve të drekës. Ky vendim synon të përmirësojë përqendrimin e nxënësve dhe të nxisë ndërveprimin shoqëror jashtë ekranit, sipas autoriteteve lokale, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Këshilltarja e Shtetit Anne Hiltpold, drejtuese e Departamentit të Arsimit Publik të Gjenevës (DIP), theksoi se kjo masë është një përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje lidhur me efektet negative të ekspozimit të tepërt ndaj ekraneve, si braktisja e shkollës dhe ngacmimi kibernetik. Më parë, ndalimi i telefonave ishte i plotë vetëm në shkollat fillore dhe pjesërisht në Ciklin e Orientimit, ku rregullat ndryshonin në varësi të shkollës. Me këtë vendim, DIP synon të harmonizojë rregulloret dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit.
Në të njëjtën ditë, edhe kantoni i Valais njoftoi një masë të ngjashme për ndalimin e telefonave inteligjentë gjatë gjithë orarit shkollor, përfshirë pushimet. Këshilltari Shtetëror Christophe Darbellay u bëri thirrje prindërve që të bien dakord për rregulla të qarta lidhur me përdorimin e telefonave jashtë shkollës.


