Ministri rus i Ekonomisë, Maxim Reshetnikov, paralajmëroi se ekonomia e vendit ndodhet “në prag të recesionit”, duke iu referuar treguesve të dobët ekonomikë dhe klimës së brishtë të biznesit. Deklarata e tij u bë në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, një ngjarje që synon të rrisë besimin në ekonominë ruse.
Ai kërkoi që Banka Qendrore të tregojë më shumë kujdes, ndërsa shtoi se gjithçka tjetër do të varet nga vendimet politike dhe institucionale.
Banka Qendrore e Rusisë rriti normën bazë të interesit në 21% në tetor 2024 për të frenuar inflacionin dhe e uli në 20% vetëm këtë muaj. Ndërkohë, rritja ekonomike ra në 1.4% në 3-mujorin e parë të vitit 2025, niveli më i ulët në dy vitet e fundit. Inflacioni vazhdon të jetë mbi 2 herë më i lartë se objektivi 4% i Bankës Qendrore, i nxitur nga shpenzimet e mëdha për luftën dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e nxitur nga industria e mbrojtjes nuk është e qëndrueshme dhe nuk pasqyron përmirësim real në produktivitet.
Lufta në Ukrainë: sulme me dronë, këmbim të burgosurish dhe rrezik në centralin bërthamor
Kharkivi dhe Odesa u goditën në orët e para të mëngjesit nga sulme me dronë rusë, sipas autoriteteve lokale dhe burimeve në rrjete sociale.
Ukraina dhe Rusia realizuan një tjetër këmbim të ushtarëve të kapur, duke mos bërë publike numrin e të liruarve. Ukraina tha se përfshinte të plagosur rëndë dhe të sëmurë, ndërsa edhe Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi shkëmbimin.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) deklaroi se centrali bërthamor i Zaporizhias, i mbajtur ilegalisht nga Rusia, nuk mund të rifillojë funksionimin për sa kohë lufta vazhdon, për shkak të problemeve me ujin ftohës dhe varësisë nga energjia e furnizuar nga jashtë.
Moska mbron Iranin, Ukraina kërkon sanksione më të forta
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi qëndrimin e Rusisë në mbrojtje të Iranit, duke e quajtur provë se Moska vazhdon të forcojë lidhjet me regjime autoritare. Ai theksoi përdorimin nga Rusia të dronëve iranianë “Shahed” dhe municioneve koreano-veriore, si shenjë se sanksionet aktuale nuk janë të mjaftueshme.
Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, akuzoi Rusinë për hipokrizi, duke dënuar sulmet ndaj Iranit ndërsa vetë “sulmon pa mëshirë” Ukrainën. “Rusia nuk mund të besohet në asnjë situatë dhe gjithmonë është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes,” tha ai.
Një zyrtar i lartë ukrainas paralajmëroi gjithashtu se përplasjet mes Iranit dhe Izraelit mund të shpërqendrojnë vëmendjen globale nga lufta në Ukrainë dhe të ndihmojnë indirekt Kremlinin, pasi rritja e çmimit të naftës i sjell përfitime ekonomike Moskës.
Homazhe për aktorin-ushtar ukrainas të rënë në fron
Në Kiev u mbajt ceremonia mortore për Yuriy Felipenko, një aktor i njohur që iu bashkua ushtrisë në prill 2024 dhe u vra në vijën e parë të frontit në moshën 32-vjeçare. Ai kishte luajtur në disa produksione teatrale dhe seriale televizive, duke përfshirë rolin kryesor në serialin “Ngjyra e Pasionit”.
Danimarka angazhohet për integrimin e Ukrainës në BE
Danimarka, e cila do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik, ka konfirmuar se do të vijojë të punojë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, pavarësisht bllokadës nga Hungaria.
Ministrja daneze për çështjet evropiane, Marie Bjerre, tha se vendi i saj po ushtron presion ndaj Budapestit dhe po mbështet reformën në Ukrainë: “Fatkeqësisht, Hungaria po bllokon procesin, por ne do të bëjmë gjithçka që të ndihmojmë Ukrainën të ecë përpara.”


