Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar një hetim preliminar lidhur me përfshirjen e dy zyrtarëve të lartë policorë – një nënkolonel dhe një kapiten – në një rast të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Pejës.
Hetimet u iniciuan pas raportimeve në media për një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë. Gjatë reagimit ndaj një aksidenti trafiku, disa zyrtarë policorë kishin shoqëruar në stacion një person që nuk kishte qenë i përfshirë në aksident, por që kishte ndërhyrë në punën e policisë në vendin e ngjarjes.
“Inspektoratit Policor i Kosovës ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar pas pranimit të informacioneve nga mediat për një rast ku dyshohej se ishin përshirë dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten policor) në Drejtorinë Rajonale të Pejës.
Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, dyshohet se dy zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre”, thuhet në njoftimin e IPK-së/
Sipas IPK-së, nënkoloneli dhe kapiteni dyshohet se kanë ndërhyrë në rast, duke mos e proceduar për hetim dhe duke mos njoftuar Prokurorinë e Shtetit, siç kërkohet nga procedurat standarde. Në vend të kësaj, të dyshuarit iu shqiptua vetëm një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (nënkolonelit dhe kapitenit policor) përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.


