Koalicioni BASHKË, që përfshin forcat politike të Frontit Europian dhe Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, thuajse është zyrtarizuar për garën e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Burime të sigurta partiake i thanë PressOnline.al se është arritur marrëveshje politike për ndarjen e komunave mes dy krahëve të koalicionit: Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit do të propozojë kandidatë në tre komuna strategjike – Gostivar, Saraj dhe Tearcë, ndërsa Ziadin Sela, që tashmë është pjesë e Frontit Europian, do të garojnë me kandidatët e tij në komunat Strugë, Dibër dhe Haraçinë.
Në komunën e Vrapçishtës, të dyja palët janë afër marrëveshjes për të mbështetur si kandidat të përbashkët kryetarin aktual Isen Shabani, i cili gëzon mbështetje të gjerë në terren. Vendimi final për këtë komunë pritet të merret gjatë ditëve në vijim.
Ky konfigurim i ri i bashkëpunimit politik pritet të ndryshojë ndjeshëm balancat në shumë komuna shqiptare dhe shihet si përpjekje e drejtpërdrejtë për të maksimizuar votën shqiptare në përballjen me partnerin e VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit, koalicionin LEN.(PressOnline.al)




