Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, mori pjesë në Forumin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtje të Ambientit Jetësor, i cili u mbajt në Tetovë dhe u organizua nga CNVP-PONT, me pjesëmarrje nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Limani theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e biodiversitetit dhe përparimin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi krijimin e mekanizmave të përhershëm ndër-shtetërorë, përdorimin e teknologjive moderne dhe ngritjen e platformave të përbashkëta online, si dhe harmonizimin e politikave kombëtare të ambientit me standardet e Bashkimit Evropian.
“Vetëm përmes koordinimit të përbashkët mund të ruajmë natyrën tonë të përbashkët dhe të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme për gjeneratat që vijnë,” deklaroi Limani.
Në lidhje me iniciativat lokale, ai bëri të ditur se në Gostivar tashmë janë krijuar shtigje malore në bashkëpunim me shoqatat bjeshkatare, si pjesë e përpjekjeve për promovimin e turizmit ekologjik dhe edukimin e brezave të rinj përmes programeve mjedisore. Po ashtu, komuna po punon për krijimin e kushteve që lehtësojnë hapjen e bujtinave në zonat malore, duke integruar zhvillimin ekonomik me ruajtjen e natyrës.




