Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Kosovën për përvjetorin e Pavarësisë, duke ritheksuar mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të vendit.
Në një mesazh drejtuar presidentes Vjosa Osmani, Macron ka theksuar rëndësinë e integrimit të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e presidentit Macron, ka njoftuar Presidenca.
Macron ka përmendur gjithashtu bashkëpunimin mes dy vendeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke theksuar gatishmërinë e Francës për të ndihmuar Kosovën në organizimin e kësaj ngjarjeje madhore.
“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë. Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka thënë Macron.


