1. Lajme
  2. OPINIONE
  3. Raportet SHBA-BE dhe Ballkani Perëndimor

Raportet SHBA-BE dhe Ballkani Perëndimor

featured

Shkruan: Blerim Shala

Reduktimi në procedurë, në protokoll, në një aparat të madh burokratik i cili nuk i përgjigjet askujt.

Pastaj, mungesa e vendimmarrjes efektive. Mundësia e bllokimit nga një shtet i vetëm të vendimeve prej të cilave mund të varet (madje), fati i gjithë Evropës.

Varësia nga partneriteti me SHBA-në, pa të cilën, ta zëmë, nuk do të mund të përballej dot me sprovën e madhe të Luftës në Ukrainë të shkaktuar nga agresioni i Rusisë mbi këtë shtet sovran.

Kërcënimi i popullizmit të ekstremit të djathtë që ka mbërthyer madje disa prej shteteve kryesore të kontinentit (Gjermaninë dhe Francën).

Janë këto pak fjali të përshkrimit të gjendjes aktuale të Bashkimit Evropian, të cilat tashmë kanë siguruar pëlqimin e shumicës së politikanëve dhe diplomatëve evropianë, duke përfshirë edhe të atyre që vet janë të angazhuar në instancat më të larta të BE-së.

Nuk ka këtu mungesë të ekspertizës. As të dijes. As të parave dhe të buxhetit.

Nuk ka madje, as deficit të ideve dhe mendimeve se si do të duhet të ndryshohet BE-ja, e cila në themelet e saja e ka pasur (dhe e ka, sot e kësaj dite), qëndrimin kategorik që evropianët nuk duhet më të luftojnë kundër njëri-tjetrin, për kurrfarë kauze, apo që Evropa duhet të shndërrohet në një kontinent të paqes.

Por, të gjitha këto cilësi ekzistuese në Bashkimin Evropian, nuk bëjnë punë shumë kur vjen puna te marrja e vendimeve kyç për vet fatin e BE-së dhe të kontinentit Evropian, i cili i tëri, ende nuk është i mbuluar nga ky Komunitet, teksa rrumbullakësimi i kufijve dhe i territorit të BE-së me gjithë këtë kontinent, duket si domosdoshmëri, për ta siguruar paqen dhe stabilitetin afatgjatë të Evropës.

Ta zëmë, si mund të flitet (fare) për paqe dhe stabilitet afatgjatë të Evropës, pa integruar në BE të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë).

Prej këtu ka nisur Lufta e Parë Botërore (me atentatin e Sarajevës, në vitin 1914), këtu, pas përfundimit të ‘Luftës së Ftohtë’, është prishur festa e fillimit të ndërmarrjes së ri-unifikimit të Evropës, me luftërat të cilat përcollën zhbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

Mbajtja e këtyre shteteve jashtë BE-së edhe për një periudhë të paqartë kohore (afatmesme gjithsesi, në mos edhe afatgjatë), është kërcënim i madh për sigurinë e BE-së.

Zaten, nuk duhet të jesh farë eksperti i kësaj fushe për ta konstatuar këtë gjë. Dhe ky kërcënim vetëm sa është rritur prej muajit shkurt të vitit 2022, kur nisi Lufta në Ukrainë.

Në anën tjetër, sërish nuk të duhet farë dije e madhe në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare për të konstatuar që me kthimin në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump-it, në Administratën e tij të dytë, që filloi me betimin e tij këtë të hënë (me 20 janar), raportet e Washingtonit dhe Brukselit do të hynë në një tjetër fazë të sfidimeve reciproke, të cilat me gjasë, do ta lënë në hije a harresë atë periudhën e mandatit të parë të Trump-it (në vitet 2017-2021).

Nuk ka dyshim që kontestimi eventual apo qoftë edhe vetëm dobësimi i partneritetit trans-atlantik i cili është krijuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, nën kërcënimin e pretendimeve të Bashkimit Sovjetik, do të ketë pasoja të matshme dhe të dëmshme për ruajtjen e një stabiliteti të brishtë në këto anë të Evropës.

Tani, në këto ditët e para të Administratës së Trump-it, ky raport jetik për Ballkanin Perëndimor, në mes të BE-së dhe SHBA-së, shquhet me një mori pyetjesh të cilat aktualisht, nuk kanë përgjigje fare. Thënë edhe më qartë, ky raport mund të përshkruhet si një ekuacion me asnjë të njohur.

Sidoqoftë, duket që në çdo variant, apo, në secilin opsion të zhvillimit të këtyre raporteve, Bashkimi Evropian duhet të pësojë një transformim të madh në vendimmarrje si dhe në rritjen e fuqisë politike, ashtuqë të jetë partner i mirëfilltë i SHBA-së në vitet e ardhshme.

Pastaj, ky Bashkim Evropian, duhet më në fund ta ndajë mendjen për përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në anëtarësinë e vet.

Raportet SHBA-BE dhe Ballkani Perëndimor
|